AKTUALITET, 28 Janar 2026, 10:36

Vendimi/ GJKKO i rrëzoi kërkesën për lirimin nga qelia, Meta ankimon vendimin në Apelin e Posaçëm

Vendimi/ GJKKO i rrëzoi kërkesën për lirimin nga qelia, Meta

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë, e cila i rrëzoi sërish kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg” në një masë më të lehtë.

Mësohet se ankimimi, i bërë kundër vendimit të 5 janarit të GJKKO, është regjistruar në Apelin e Posaçëm më 26 janar.

Kërkesa e ish presidentit për lirim nga qelia është rrëzuar edhe më parë nga të tria shkallët e gjyqësorit që kanë vendosur ta lënë në burg.

Kreu i PL i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit që kanë lënë në fuqi masën e arrestit janë antikushtetuese dhe cenojnë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Meta ndodhet në qeli prej tetorit 2024, dhe akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, dhe 3 të tjerë.