TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Mungesa e tregut dhe çmimi i shitjes së grurit nën kosto ndikoi në uljen e sipërfaqeve të mbjella me grurë në zonat kryesore të fushës së Korçës dhe Myzeqesë.
Sivjet situata pritet të jetë e ngjashme edhe për mbjellat me misër. Pas datës 15 Prill nis sezoni i mbjelljes së misrit.
Për shkak të mungesës së tregut të shitjes, fermerët parashikohet të reduktojnë të mbjellat edhe me misër sipas kompanive të shitjes së farave.
“Edhe për misrin ka të njëjtën situatë si për grurin, ka sasi të lartë të pashitur. Për këtë arsye sivjet me nisjen e sezonit të prodhimit pritet që të mbjellat me misër në zonën e Korçës të jenë 10 deri 15% më pak krahasuar me vjet”, pohon Vasfi Sherifi përfaqësues nga AGROVAS-SHE kompania prodhuese dhe tregtuese për fara, fidanë dhe inpute bujqësore në fshatin Pojan të Korçës.
Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2022 sipërfaqja e tokës së mbjellë me misër ishte në 56,6 mijë ha. Krahasuar me 2021 sipërfaqja e tokës së mbjellë me misër ra rreth 3%.
Mungesa e tregut të shitjes solli që shumë fermerë në mbarë vendin të ulin të mbjellat me grurë.
Në zonën e Korçës sipas agronomëve dhe kompanive të shitjes së farave sipërfaqet e tokës me të mbjellat e grurit të këtij sezoni janë ulur 30 deri 40% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa fermerë në zonën e Myzeqesë pohuan se krahasuar me vjet kanë reduktuar sipërfaqet e mbjella me grurë deri në 70%.
Për shkak të ndërprerjes së furnizimit të zinxhirit ushqimor nga lufta Rusi-Ukrainë dhe për të nxitur pavarësinë ushqimore të vendit për prodhimin e grurit, më korrik të 2022 për herë të parë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) miratoi masën e posaçme për subvencione direkte në vlerën e 30,000 lekëve në mbështetje të fermerëve që prodhojnë mbi 1 ha grurë.
Masa nxiti shtimin e të mbjellave deri 40% më shumë se 2022, ndërsa çmimi i grurit arriti 50 lekë kg. Në treg gruri sivjet po kërkohet të blihet me çmim nën 27 lekë për kg. Për agronomët çmimi i shitjes është nën koston e prodhimit. Për shkak të çmimit të ulët shumë fermerë po e mbajnë stok të pashitur grurin, kurse të tjerë po e shesin si ushqim për kafshët.
Vasfi Sherifi përfaqësues nga AGROVAS-SHE pohon së sasitë e grurit të shitura për kafshët janë të paktë, pasi ky produkt nuk përdoret në masë në blegtori. Më tepër përdoret elbi. Për këtë arsye sipas tij disa fermerë në zonën e Korçës kanë nisur të shtojnë të mbjellat me elb për përdorim në blegtori.
Sipas të dhënave të INSTAT në rang vendi sipërfaqja e tokës së mbjellë me elb ishte 5,597 ha. Krahasuar me 2021 sipërfaqet e mbjella me elb u shtuan 10%.
Sivjet gruri nuk u përfshi në skemën kombëtare për dhënien e subvencioneve direkte. Ndërsa do të vijojë të mbështetet nga dhënia e naftës pa akcizë. Nga skema e naftës pa akcizë mbështetet edhe elbi, thekëri dhe tërshëra./Monitor