AKTUALITET, 3 Tetor 2024, 23:18

“Pas datës 7 çfarë do t’u thuash shqiptarëve?”, Dashamir Shehi debaton me Andi Telën për opozitën

“Pas datës 7 çfarë do t’u thuash

Deputeti Dashmir Sehi dhe gazetari Andi Tela debatuan në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN Tv, për strategjinë që duhet të ndjekë opozita për të ardhur në pushtet. Ndërsa Tela u shpreh se qëndrimi në parlament nuk ka prodhuar asgjë për opozitën, Shehi tha se është kundër protestave dhe është njeri institucional.

Pjesë nga debati

Andi Tela: Përveç gabimit për djegien e mandateve, çfarë prodhoi parlamenti i asaj periudhe nga fjalimet e famshme të Lulzim Bashës dhe të deputetëve të tjerë të PD-së?

Dashamir Shehi: Në daç me e dit ti ai Lulzim Basha doli me i mbajt fjalimet në bulevard, se po të kishte ndenjur në parlament do t’i kishim fituar zgjedhjet.

Andi Tela: Para djegies së mandateve? Po çfarë prodhuan ata?

Dashamir Shehi: Diçka më të mirë se ajo e rrugës.

Andi Tela: Po pra jemi te ky rezultat, se në parlament mund të flasin 20 minutat e para, se nuk ka më interes të dëgjosh se nuk ka as personazhe.

Dashamir Shehi: Po jo se ti e ke katandisur parlamentin me këto personazhe.

Andi Tela: Atëherë kur janë këto personazhe të këtij niveli, çfarë do të prodhojë parlamenti dhe kur Gjykata Kushtetuese i thotë këtë zonjën Xhaçka do të ma sillni se do të vendos unë se çfarë do të bëj me të, ata injorojnë gjykatën dhe votojnë kundër, çfarë vlere ka ky parlamenti?

Dashamir Shehi: A e di se çfarë vlere ka ai parlamenti? Pikërisht për këtë punë qe nuk e do zonjën Xhaçka. Kjo që thoni ju është kot, është anarki që është rrugë pa krye. Unë jam për jetën parlamentare. Më vjen keq që i kanë përzënë ata të PD-së. Pse të pengoka ty parlamenti për të  bërë mosbindje civile. Unë them që s’ka lidhje fare, përveç disa prej atyre që zhvlerësojnë ato që i zgjodhi populli.

Andi Tela: Kur ti nuk dëgjohesh çfarë bën?

Dashamir Shehi: Gërthas.

Andi Tela: Kur nuk të dëgjon prapë, çfarë bën?

Dashamir Shehi: Gërthas prapë, dy herë.

Andi Tela: Kjo është një mënyrë për t’u dëgjuar.

Dashamir Shehi: Bëhem trim, marr pushkën. Unë nuk jam kaq trim, jam i natyrës institucionale. Hajde ta bëjmë demonstratën. Tani çfarë është kjo fjala e madhe mosbindje civile? Ajo është që të mos paguajmë taksat, punëtorët të mos shkojnë në punë, mësuesit në shkollë. Po parlamenti i bëri punimet, nuk e ka bllokuar asnjë ditë ti. Jemi bllokuar ne pjesa opozitare, ata nuk i ke bllokuar asnjë ditë.

Andi Tela: Po nuk kanë bërë asgjë.   

Dashamir Shehi: Po mirë, nuk bëjmë zgjedhje, ç’na duhen deputetët, ca pupacë kot. Po gjejmë ca revolucionarë me urë në dorë. Po nuk u realizua kjo mosbindja civile pas datës 7 çfarë do t’u thuash shqiptarëve me 8? Po ti ngre pritshmëri dhe në zhgënjim të madh. Të nesërmen ajo pala e Edi Ramës do të thotë ja nuk e bllokuan aeroportin.