AKTUALITET, 26 Tetor 2023, 21:45

Opozita po "qan hallin" e Berishës, a penalizohet PD? Ç'mendojnë Bushati, Zheji dhe Sejamini

Opozita po "qan hallin" e Berishës, a penalizohet PD?

Hetimi i SPAK ndaj Sali Berishës dhe dhëndrit të tij për privatizimin e ish Kompleksit Partizani, ka bërë që një pjesë e opozitës që mbështet Berishën në PD, të aktivizohet e gjitha në mbrojtje të tij, duke lënë mënjanë punët e përditshme që kryejnë. 

Në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, u diskutua lidhur me kostot që kjo strategji mbrojtje e Berishës mund të ketë për PD-në dhe opozitën. 

Ja ç'mendojnë tre analistës, Andi Bushati, Neritan Sejamini dhe Artur Zheji. 

Andi Bushati: Sali Berisha, po goditet se është lideri i opozitës apo jo? Nëse Berisha goditet se është lider i opozitës, atëherë çdo njeri në opozitë, ka të drejtë të mbrojë të drejtat e opozitarizmit. Nëse goditet si bandit ordiner, që ka ndarë lekët me dhëndrin, atëherë i bën dëm opozitës. Procesi i privatizimit të klubit Partizani, për të cilin kam dyshime që mund të jetë aferë, i paraprin edhe disa procese të tjera, si vjedhja e vulës. Pra kemi një përdorim të drejtësisë si kasap kundër opozitarizmit, nëse është kështu, Berisha ka të drejtë. Nëse vulën ia ka marrë me të drejtë, se është Basha opozita reale, atëherë Berisha është peshë për opozitën. Nëse ne jemi në pikën që drejtësia po përdoret si hanxhar kundër opozitës, atëherë rezistenca është detyrim.

Neritan Sejamini: Unë mendoj pak më ndryshe, ka një fakt të pandryshueshëm, zgjedhjet e ardhshme në vitin 2025.
Po të isha unë zoti Berisha, do ta kuptoja se kjo betejë nuk është për të fituar drejtësinë por simpatinë e opinionit publik. Kjo bëhet duke treguar se është viktimë, me qetësi. Po të isha si zoti Berisha, do të thosha nga VKM filan kanë përfituar kaq pronarë, kaq familje, kaq familje me kaq të pushkatuar, etj. Pra duke treguar përmasat e cështjes. Ai po akuzohet se me VKM dhe ligj ka favorizuar dhëndrin. Po e marr të mirëqenë, por zoti Berisha duhet të tregojë se nuk kanë qenë ligje të posaçme por i kanë dhënë të drejtën shumë personave. Të isha si ai, do të mbaja fjalime pro pronës, lirisë, etj.
Nëse Partia Demokratike, do të futet në llogore dhe çdo njeri do të flasë për të mbrojtur Berishën, sot dhe për disa muaj, zgjedhjet e 2025 ikën.

Andi Bushati: Sido të sillet Saliu, zgjedhjet janë të ikura! Nëse keni iluzion se këtu ka zgjedhje, hajde bëjmë lojë politike. Zgjedhjet kanë marrë fund.

Artur Zheji: Pika e parë, Saliu nuk ndryshon. Çdo gjë e ka bërë frontalisht, e kanë këshilluar tërhiqu, ai ka vazhduar. Unë njëherë e kam këshilluar për 21 janar dhe bëra gabim, ai bëri krejt të kundërtën. E dyta, po shkojmë tek arsyetimi që SPAK po vepron me regji apo prapavijë politike, po persekuton kreun e opozitës, për të lënë pa kokë opozitën. Kjo qëndron si metodë, por a ishte fitues Sali Berisha para kësaj? Ai vetëm humbet, humbi edhe 14 majin rëndë, mban partinë të përçarë. Edhe ky Gaz Bardhi tha që duhet të shkojë në gjykatë. Pra plus që krijohet një precedent i nivelit të lartë, që Rama nuk mendoj se është në ditët e tij më të gëzuara. Nëse SPAK “bluan” Berishën, tregon se bluan fortë. Kam informacion se procesi monitorohet edhe nga SHBA, gjithçka përkthehet, etj.

Neritan Sejamini: Nëse te SPAK ndërhyjnë amerikanët, a është ndërhyrje politike? A nuk duhet të mos ketë ndërhyrje nga asnjë palë?

Artur Zheji: Në vend normal po, por ne nuk jemi në vend normal.