AKTUALITET, 13 Tetor 2024, 10:12

OKB-ja ideale e të rinjve

OKB-ja ideale e të rinjve

Dea Rrozhani po bëhet gati për të nisur intervistën me Tim Dodds, zërin special të intervistave të FIRST Global Challenge, festivalit botëror të robotikës, që mbahet çdo vit në një nga kryeqytetet e botës, duke mbledhur mbi 2000 të rinj të moshave 14-18 nga mbi 190 vende dhe që në fundshtatorin 2024 zhvillohet në Athinë.

OKB-ja ideale e të rinjve
Dea Rrozhani duke u intervistuar nga Tim Dodds

Dodds, mësues prej vitesh, i diplomuar në universitetin Wesleyan dhe me master Shkollën e Lidershipit në Universitetin e Pennsyvania-s, e takoi Dean për herë të parë në tetor 2019 kur ajo ishte kapitene e ekipit shqiptar në First Global që mbahej në Dubai.

Dea është në vitin e fundit për Shkenca Kompjuterike në UPenn. Rrugëtimi i saj në robotikë nisi në një sallë të Bibliotekës Kombëtare, ku ishte Këndi Amerikan pjesë e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë. Aplikacioni i saj “Gjejza” për të ndihmuar gratë që përballen me dhunën me bazë gjinore u shpall fitues në Kaliforni në gusht 2019 në “Samitin Technovation Girls World Pitch” dhe u përmend në fjalimin që sekretari i shtetit, Antony Blinken mbajti gjatë vizitës së tij në Tiranë, më 15 shkurt 2024, ku, mes të tjerave, u shpreh se “Ajo krijoi në APP të luftojë dhunën dhe sot është në Universitetin Pensilvanisë e ka thënë se ‘nuk i mbyll sytë përballë problemeve por veproj për t’i zgjidhur.”.

Vitet e saj në universitet janë të mbushura me angazhime, nga ekipi i makinës së garave Penn Electric Racing, tek bordi i Shoqatës së Inxhiniereve të UPENN, si e vetmja studente shqiptare. Pas garës së vjetshme në Singapor, ajo është edhe shqiptarja vullnetare e ekipit organizator që drejtohet nga Dean Kamen.

Me shpikësin 73-vjeçar, të veshur si gjithnjë me xhinse dhe t-shirt takuam bërrylat në orën 10.00, në hollin e katit të dytë të stadiumit Panathinaikos, ndërsa kërkonte rrugën për të shkuar një kat më poshtë, për të pritur shefin e qeverisë greke.

Kamen, inxhinier amerikan, biznesmen i njohur, drejtues i kompanisë DEKA me seli në Nju Hempshër dhe shpikës i gati 400 patentave, mes të cilave iBOT-i i famshëm (karrigia elektrike që ndryshoi përgjithmonë jetën e pacientëve) dhe të  Segway (dyrrotakëshit që përdoret tashmë masivisht nga konsumatorët apo patrullat e policisë), e themeloi FIRST (For Inspiration and Recognition of Science and Technology), që më 1989, me qëllim rritjen e interesit të të rinjve në shkencë, teknokogji, inxhinieri dhe matematikë (STEM), ndërsa në 1992, së bashku me shpikësin dhe profesorin e MIT, Woodie Flowers, krijuan FIRST Robotics Competition (FRC), konkurs që tashmë ka përfshirë 3647 ekipe nga mbarë bota me mbi 91 mijë studentë.

OKB-ja ideale e të rinjve
Roboti i Gjeorgjisë

Intervista e Deas me Dodds përzihet me thirrjet, muzikën dhe zhurmën e robotëve që po “përleshen” në 5 ringjet e ngritur në mes të fushës së stadiumit të mbyllur të Panathinaikos, një lojë që ndryshon çdo vit, dhe kësaj radhe, roboti i çdo ekipi, duhet të mbledhë sa më shumë topa dhe t’i hedhë në një kosh. Ato që në fakt perceptohen si topa, në të vërtetë janë pjesa e lojës për sfidën e këtij viti, një system i qëndrueshëm ushqimor për të cilin të rinjtë duhet të mësojnë të gjejnë zgjidhje nëpërmjet teknologjisë.

OKB-ja ideale e të rinjve
Ekipi i Francës

Robotët e krijuar prej tyre janë të përbërë nga të njëjtat pjesë që organizatorët u dërgojnë ekipeve, por ndryshon mënyra se si ato ndërtohen. Ndryshon edhe mënyra se si ndërtohet strategjia për t’u ndeshur, sepse këtu, ndryshe nga çdo garë sportive apo shkencore, asnjë shtet nuk garon më vete, por në aleanca me shtete të tjera. Është një lojë që synon të zbehë kufijtë, ata që për shumë shtete sot janë një mollë sherri dhe shndërrohen në konflikte të armatosura. Është një mentalitet që ngjit fort te të rinjtë të cilët gjejnë vetëm pika të përbashkëta ndonëse në flamuj të ndryshëm.

OKB-ja ideale e të rinjve

I shikon në korridore tek valëvisin simbolet kombëtare; duke kërcyer së bashku në një nga pit stopet, të mbledhur nga të gjitha shtetet; të flasin dhe të komunikojnë si një OKB ideale ku secili ruan identitetin e tij, por ky identitet nuk i pengon që të lidhin miqësi apo më shumë akoma të punojnë së bashku. Aty është stenda e Iranit, Libanit, SHBA-ve, Kinës, Spanjës, Maldiveve, Ishujve Marshall e gjithë globit - një botë e paqtë, rinore, kërkuese, pa kufij, pa urrejtje, vetëm shpirt gare në vendin që mëse një shekull më parë mbajti lojërat e para olimpike.

OKB-ja ideale e të rinjve

Stenda e ekipit shqiptar, është e para, sepse është renditur sipas alfabetit. Një flamur i madh kombëtar që në hyrje, ekipi i mbledhur nën udhëheqjen e menaxherit Julian Grori, roboti pa emër që shumë pak ka ndyshuar nga ai që ndërtonin vite më parë kur ekipi merrte pjesë në sfidat e FGC në Meksikë dhe Dubai dhe quhej Kastrioti. Prej atëherë ekipi ka më shumë vajza dhe mbart në historinë e tij edhe disa çmime të rëndësishme nga Meksika dhe Dubai.

OKB-ja ideale e të rinjve
Flamuri shqiptar në stadiumin e garave të FGC 2024

Ekipi i Kosovës është pak më tutje. Mentorja Elita Hajrizi dhe dy vajza po qëndisin mbi trupin e robotit përshëndetjen “Ç’kemi!”. Janë të qeshura dhe të bindura se do të marrin një rezultat të mirë, pasi pas një ore Kosova përballet me ekipin e fortë të Venezuelës.

OKB-ja ideale e të rinjve
Roboti i Kosovës

Kur janë mbyllur garat, ekipi i Kosovës njofton se ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke u renditur në vendin e 65-të nga mbi 190 ekipe pjesëmarrëse dhe duke lënë pas gjithë ekipet e rajonit, Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. 

Kati i parë i stadiumit është një lëvizje frenetike e mbi 2000 të rinjve që shkojnë e vijnë me robotët e garave, stendat janë të mbushura me vegla, pajisje, suvenire dhe imazhe përfaqësuese të vendeve. Është OKB-ja e të rinjve.

Në orën 11.20 të të shtunës, kryeministrit grek, Kiriakos Mitsotakis, në krah të Dean Kamen, e ngre lart këtë OKB paq paqësore, me kaq ngjyra dhe pozitivitet. Sapo është kthyer nga punimet e Asamblesë së OKB-së në New York, ku konfliktet botërore prezantohen me fjalime luftarake, ikje demonstrative kur nis fjalën kryeministri izraelit, ku flitet për gjenocid, mijëra viktima të pafajshme të luftërave që nuk ndalojnë nga Evropa, në Lindjen e Mesme.

OKB-ja ideale e të rinjve
Dean Kamen me kryeministrin Mitsotakis

Lufta ka prekur edhe FGC-në këtë vit. Mungon Ekipi i Refugjatëve, i cili çdo vit ka përfaqësuar të ikurit nga vendet në luftë, por që nuk morën dot viza nga autoritetet e vendit mikpritës. Greqia është vendi i emigrantëve, veçanërisht shqiptarëve.

Dea ka varur në qafë stikerat “Flas anglisht” dhe “Flas shqip”. Flet me gëzim për befasinë që e priste ndërsa ishte hapur gara dhe qindra fëmijë erdhën si vizitorë.

“Fëmijët shikonin stikerin dhe më flisnin shqip. Ishin të gëzuar që po flisnin shqip me një vullnetare të First Global”, - tregon ajo për brezin më të ri të emigracionit shqiptar.  

OKB-ja ideale e të rinjve
Shpallja e fituesve

Mëse tri dekada më parë, qindra mijëra shqiptarëve u derdhën në fqinjin jugor, ndërsa Shqipëria kishte dalë nga izolimi i egër dhe vuante për bukën e gojës. Për shumë vite u ra bretku për të siguruar jetesën, rritur fëmijët dhe krijuar një jetë të re, duke ndërtuar Greqinë.  

Sot fluturimi nga Rinasi në aeroportin e Athinës zgjat vetëm 1 orë e 15 minuta dhe pas gjysmë ore pritjeje për të arritur sportelin e kontrollit të pasaportave policja greke as nuk t’i hedh sytë, skanon pasaportën, vulos hyrjen dhe ta kthen për 30 sekonda. Por mijëra shqiptarë dikur lanë kockat duke kapërcyer malin e Gramozit ilegalisht për të siguruar mbijetesën. Vagonët e metrosë së Athinës janë të mbushur brenda dhe jashtë me grafite. 22 vite më parë, kur isha si përfaqësues i medias shqiptare në marrjen e presidencës së BE-së nga Greqia, vendi ishte një kantier ndërtimi për të pritur lojërat olimpike të vitit 2004, me vepra të mëdha infrastrukturore, që nuk do të bëheshin pa gjakun dhe djersën e qindra mijëra shqiptarëve.  

Në mbrëmje në njërën nga dhjetëra tavernat e hapura në Monastiraki, Zorba greke luhet nga dy muzikantë shqiptarë. Pas saj është radha e këngës “shumë urime për ty” në anglisht për një djalë të ekipit të Tajlandës në First Global Challenge që sapo mbushi 16 vjet.

OKB-ja ideale e të rinjve
Moment nga garat

Eshtë dita e parafundit e First Global Challenge 2024. Vullnetarja shqiptare e këtij kampionati të pazakontë ka ambicie të reja për edicionin e 2025-ës, krahas synimeve të saj pasi të përmbyllë vitin e fundit të studimit dhe masterin në Robotikë. Si ajo, mijëra të rinj që janë bërë pjesë e këtij organizimi kanë nisur të ëndërrojnë se si do të bëhen inxhinierë dhe liderë, miq dhe njerëz të përkushtuar të një bote, të ardhmen e të cilës e kanë në dorë ta ndryshojnë.