AKTUALITET, 27 Qershor 2022, 22:33

“Nuk mund ta quaj të mbyllur historinë me PD”/ Majlinda Bregu tregon nëse ka marrë një ftesë nga Berisha për t’iu bashkuar: Jam në…

“Nuk mund ta quaj të mbyllur historinë me PD”/ Majlinda

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, e ka lënë evazive nëse do t’i bashkohet sërish Partisë Demokratike, pas thirrjeve publike që ka bërë ish-kryeministri Sali Berisha.

Në një intervistë për emisionin “Top Story”, Bregu u shpreh se ajo nuk ka qenë pjesë e asnjë partie tjetër politike që ta quaj të mbyllur historinë me PD-në, por nuk e ka sqaruar qartë qëndrimin nëse do t’i bashkohej demokratëve po të merrte një ftesë.

Bregu tha se nuk ka marrë një ftesë personale nga Berisha, përveçse thirrjeve që ai ka bërë ndaj të gjithë demokratëve që t’i bashkohen.

Pyetje: A morët ftesë për t’u rikthyer, nga zoti Berisha?

Bregu: Po ka bërë një ftesë publike. Kjo ka qenë për t’u rikthyer.

Pyetje: Disave ju ka shkuar ftesë nominale?

Bregu: Ftesë me letër jo. Nuk kam dyshim në këtë pjesë. Unë nuk kam dyshim në këtë pjesë. Unë jam në tjetër rrugë dhe në tjetër pozicion. Më thatë qëparë nëse është ende PD-ja partia ime. Nuk është se unë kam qenë anëtare në një parti tjetër politike apo jam në një parti tjetër që ta konsideroj të mbyllur historinë në PD. Nga ana tjetër nuk më duket se vuaj nga një sindromë ‘Stokholmi’ që të them pa u sqaruar gjërat, nuk është ky momenti për shkak të angazhimeve që kam. Por për shkak se edhe tani, e ke parasysh, në këtë moshën tonë ke pesimizmin e intelektit, që vjen nga të menduarit dhe optimizmin e vullnetit. Hajde ta gjesh se kush dominon. Jam më e qartë se në 2016. Disave mund të mos i ketë dalë inati nga 2016. Mua më bën të kem një raport më të mirë.