AKTUALITET, 14 Nëntor 2024, 15:29

Një në katër familje shqiptare merr borxh për të jetuar

Një në katër familje shqiptare merr borxh për të jetuar

Një në katër familje shqiptare merr borxh për të jetuar. Një pjesë te të afërmit e të tjerët në banka apo institucionet e mikrokredisë... janë 24 për qind e familjeve që kanë marrë të paktën një hua në gjysmën e parë të vitit. Shifra ka mbetur e pandryshuar në raport me 2023-shin.

“Po e nis nga vetja ime. Jam e papunë, me qira dhe me një pagesë papunësie 10 mijë lekë në muaj. Sigurisht që do marr borxh për të jetuar”, thotë një qytetare e papunë.

Në sondazhin “Gjendja financiare dhe huamarrja e familjeve në Shqipëri” që Banka Qendrore ka realizuar rezulton se 35 për qind e borxheve janë marrë për konsum. Hierarkia e nevojave që ka shtyrë shqiptarët drejt borxheve pasohet nga blerjet apo riparimet e banesave, zhvillimi i biznesit dhe studimet.

“Kjo vjen si pasojë e dy arsyeve. të ardhurat janë aq të ulëta sa shumica e tyre duhet të shkojë për ushqim dhe çmimet e këtyre të fundit janë rritur ndjeshëm. Kështu që shqiptarët detyrohen të marrin borxhe  edhe për t’u ushqyer”, thotë për A2 CNN, Xhonsila Hoxha, eksperte e ekonomisë.

Gati gjysma e huave të marra nga familjet shqiptare deri në qershor ka qenë në institucionet financiare. Pjesa tjetër i kanë marrë borxh paratë te të afërmit.

“Shumë e vështirë është jeta këtu. Nuk ke ku përplasesh e detyrohesh të marrësh borxhe. Ja shiko Kosovën. Albini po u jep nga 100 euro, ne nga 50. Që ata dje kanë dalë nga lufta”, thotë një qytetare.

Sipas gjetjeve të Bankës së Shqipërisë, familjet që marrin borxh janë të shpërndarja thuajse në mënyrë të barabartë mes zonave urbane dhe atyre rurale. Pas nuk mbetet as Tirana.

“Varfëria në vend është e përhapur thuajse në mënyrë uniformë. Ndaj edhe në kryeqytet kemi familje që marrin borxhe për të përballuar jetesën”, thotë ekspertja Hoxha.

Një në tre shqiptare jetoi në kushte të vështira ekonomike gjatë vitit të shkuar. Kjo sipas Avokatit të Popullit për shkak të niveli të ulët të ndihmës ekonomike, pagave dhe buxheteve të kufizuara të bashkive për mbrojtjen social.