TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Për një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme, tregu i zyrave, do të furnizohet edhe me 120,000 metra katror hapësira të reja sipas analizës së “Colliers” për vitin 2022.
Arsyeja është përfundimi i një sërë projekteve luksoze siç janë kullat në zemër të kryeqytetit, por edhe zhvillimi i ndërtesave në Bulevardin e Ri.
Rritja e hapësirave të pazëna do të vijë kryesisht nga zhvillimi i projekteve të ndërtimit siç janë: “Downtown One”, ndërtesa MET Tirana, “Park Avenue”, “Eyes of Tirana”, “Tirana’s Rock” dhe godina tek Ekspozita.
Përfundimi i këtyre projekteve ekzistuese pritet që jo vetëm të shtojë ofertën për zyra, por të rrisë presionin për rënie të çmimeve.
“Sasia e sipërfaqeve cilësore të zyrave do të rritet edhe më tej, që normalisht duhet të ketë edhe një presion nga qiradhënësit, për t’i ulur çmimet dhe për të ofruar edhe lehtësi për të tërhequr qiramarrës cilësorë, afatgjatë nga korporatat.
Stoku patjetër që e shton dhe rrit konkurrencën midis qiradhënësve, të cilët duhet të tregohen më elastikë nëse duan të tërheqin klientë cilësorë dhe afatgjatë në godinat e tyre”, nënvizon Stela Dhami nga “Colliers International”.
Drejtuesi i kompanisë real state “Future Home”, Fatjon Hysenbelliu, parashikon se sipërfaqet e zyrave do të kenë shtim masiv në qendër të qytetit, pasi shumë objekte të reja të ndërtuara në Tiranë ofrojnë shërbim të posaçëm vetëm për ambiente me qira zyrash për bizneset.
“Ambientet e lira po rriten, duke parë që një pjesë e ndërtimeve të reja në qytet janë drejt përfundimit. Duke parë gjithë këto opsione, me kohën do të kemi edhe më tepër çmime preferenciale për të tilla kategori.
Sot në zonat elitare po konceptohet nga ndërtuesit që objektet e reja deri në katin e 7-të të jenë mjedise biznesi.
Në kullat më luksoze në qytet është menduar të trajtohet koncepti i mjediseve të ofrimit për një larmishmëri shërbimesh, që nga parkimet deri te sallat auditore me kapacitet mbi 1000 persona”.
Brenda dy-tre viteve të ardhshme, sipas raportit të “Colliers”, pritet që dy ndërtesa të certifikuara të gjelbra të hyjnë në treg, duke shtuar kërkesën për mjedise të reja cilësore me qira.
Sektori i ndërtimit ka ruajtur të njëjtin ritëm aktiviteti si para, gjatë dhe pas pandemisë. Edhe fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, sipas raportit, nuk ndikoi te sektorët e ndërtimit dhe tregut të pasurive të paluajtshme.
Projektet e ndërtimit, të cilat parashikojnë komponentë të rëndësishëm për ambiente zyre në periudhë afatmesme, nuk janë ndikuar.
Prania në rritje e kompanive ndërkombëtare në Shqipëri, sipas “Colliers” është një tregues i kërkesës në rritje, megjithatë, rreziku mbetet i moderuar, për shkak të kërkesës së paparashikueshme për zyra si nga vendasit, edhe nga ato kompanitë ndërkombëtare në kohën, kur projektet e reja do të hyjnë në treg.
Megjithatë, pritshmëritë mbeten për qira më të ulëta në treg dhe yield-e më të larta, që duhet të arrihen në afat të mesëm./Monitor