AKTUALITET, 13 Prill 2024, 10:16

Nga kriza në faliment, eksportuesit hedhin sytë nga ndërtimi e turizmi, ç’do të ndodhë me punonjësit

Nga kriza në faliment, eksportuesit hedhin sytë nga ndërtimi e

Një faliment zinxhir ka përfshirë prodhuesit vendas, si rrjedhojë e rritjes së kostove të brendshme dhe uljes së kërkesës në tregun ndërkombëtar. Njësitë më të vogla të prodhimit, me rreth 100 punonjës, kryesisht në prodhimin e këpucës, po diversifikohen në sektorët e turizmit dhe pasurive të paluajtshme. Fabrikat e mëdha janë në limite të ekzistencës, teksa po mbijetojnë duke shkurtuar kostot dhe duke ndryshuar klientët drejt vlerës më të lartë. Industria e përpunimit të ushqimeve për eksport po diversifikohet në prodhim për tregun e brendshëm. Punonjësit po përshtaten me më shumë vështirësi. Si po e ndryshon stili i jetesës dhe inflacioni kërkesën për këpucë.

Fabrika e prodhimit të këpucës “Nito” në zonën e Mamurrasit u mbyll duke çuar në shtëpi më shumë se 100 punonjës, teksa administratori i saj, zoti L. Turku, po mendon se si të nisë gjithçka nga e para në një sektor tjetër.

Ai ka filluar përpjekjet për të hapur një aktivitet në sektorin e pasurive të paluajtshme në shitje-blerje dhe qiradhënie në zonat e turistike. Si z. Turku, me qindra njësi të prodhimit të këpucës po përballen me falimentin, teksa njësitë më të mëdha të prodhimit po shikojnë rënie drastike të porosive.

Kjo krizë, më e forta e 15 viteve, i ka vënë bizneset para zgjidhjeve të vështira. Njësitë e vogla po mbyllen dhe po shkojnë drejt sektorëve të tjerë si turizmi, aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe industria ushqimore, ndërsa fabrikat e mëdha po përshtaten, duke kaluar në segmente më të larta të prodhimit dhe duke shkurtuar kostot e brendshme nëpërmjet rritjes së produktivitetit.

Më të cenuarit duket se janë punonjësit, të cilët kanë kaluar më shumë se 20 vjet duke qepur këpucë dhe e kanë të vështirë të përshtaten në sektorë të tjerë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në fabrikat e prodhimit të këpucës ishin të punësuar rreth 20 mijë persona në vitin 2022, por të dhënat nga industria tregojnë se një pjesë e madhe e tyre kanë humbur punën muajt e fundit.

Falimentet më të mëdha kanë ndodhur në rrethe dhe në fabrika që kishin të punësuar nën 120 punonjës, që punonin kryesisht me nënkontraktim, të cilat kishin norma më të ulëta fitimi dhe nuk ishin në gjendje të përballonin krizën.

Që në vitin 1947, kur u hap fabrika e parë e prodhimit të këpucës në Tiranë, Shqipëria ka krijuar një traditë që vijoi me intensitet edhe gjatë tranzicionit, duke prodhuar për markat më prestigjioze të tregut si “Prada”, “Tood’s”, më tej “Geox”, “Clarks” etj.

Shqipëria krijoi një emër të mirë sidomos në tregun italian dhe fabrikat nisën të prodhonin për segmentet e larta të konsumit, me një çmim më të lartë. Mirëpo lufta në Ukrainë ndryshoi sjelljen konsumatore, që e kombinuar me ndryshimin e stilit të jetesës, e ka goditur rëndë industrinë e prodhimit në Shqipëri. Faktorët e brendshëm si nënçmimi i euros dhe rritja e pagave minimale po bëjnë që shumë njësi të ulin përgjithmonë qepenat e aktiviteteve.

Në vitin 2023, eksportet e këpucës në sasi shënuan rënie vjetore me 16%, e cila vijoi me të njëjtat ritme edhe në janar 2024.

Por ekonomia e tregut e gjen rrugën si rrjedha e lumit, pasi bizneset kanë nisur të diversifikohen në sektorë të tjerë, teksa sfida më e madhe mbetet për punonjësit, të cilët duket se po zgjedhin pensionin e parakohshëm, në vend që të ripërshtaten.

Pothuajse i gjithë sektori i prodhimit bazuar në eksport është në vështirësi nga zhvillimet në kursin e këmbimit dhe tani bizneset janë duke gjetur zgjidhje në diversifikim brenda sektorit, apo edhe duke kaluar në sektorë të tjerë.

Kompania INCA në Lezhë, që operon në sektorin e agropërpunimit për eksport, ka instaluar një linjë prodhimi për tregun vendas, duke prodhuar një fertilizues të ri organik për bujqësinë.

Nga kriza në faliment, eksportuesit hedhin sytë nga ndërtimi e

Turizmi, një trend i ri për linjat e falimentuara të këpucëve

Marsid Taullai këto ditë po merret me mbylljen e fabrikës “Tak Shoes” në Durrës. Ai po plotëson disa dokumente për të nxjerrë në asistencë punonjësit, duke lënë pas dhimbje për një aktivitet që e ka drejtuar me vite, duke dhënë punë për dhjetëra gra në familje, që kanë burime të kufizuara të ardhurash.

Zoti Tullai mendon të zhvendoset krejtësisht në sektorin e turizmit, duke shërbyer në një hotel të vogël dhe restorant në zonën e Golemit.

“Hotelin e kam pasur edhe kur drejtoja fabrikën e këpucëve, por tani me mbylljen e saj, mendoj të zgjerohem më shumë në turizëm”, – tha ai. Qyteti i Durrësit ka një traditë të fortë dhe të hershme në turizëm dhe është një nga zonat më të vizituara të vendit.

Fabrikat e këpucëve në qytetet bregdetare po diversfikohen në sektorë që po shënojnë rritje të aktivitetit. Akomodimi dhe restorantet shihen si biznese me interes. Vitin e kaluar, bizneset e këtij sektori dhe ato të lidhura me turizmin shënuan rritje si në të ardhura ashtu dhe numër aktivitetesh.

Vendi u vizitua nga 10 milionë turistë dhe ky trend pritet të jetë së paku në katër vitet e ardhshme sipas pritshmërive të agjencive turistike. Mirëpo zhvendosja nga prodhimi i këpucës në turizëm nuk është aq e lehtë për zotin Tullai, pasi të ardhurat nga turizmi ende janë të përqendruara në pak muaj dhe qëndrueshmëria e tyre nuk është e garantuar.

Nga kriza në faliment, eksportuesit hedhin sytë nga ndërtimi e

Aktivitetet e pasurive të paluajtshme, një tjetër zgjedhje

Aktivitetet e pasurive të paluajtshme panë zgjerimin më të madh të numrit të bizneseve në vitin 2022, me rritje vjetore mbi 45% sipas burimeve zyrtare nga INSTAT.

Të dhënat nga tregu referojnë se rritja ka qenë e fortë edhe në vitin 2023, si rrjedhojë e zhvillimeve të vrullshme në ndërtim dhe turizëm. Rritja e lejeve të ndërtimit dhe në të njëjtën kohë, edhe kërkesës për banesa kryesisht në Tiranë dhe bregdet ka rritur nevojën për më shumë ndërmjetësues.

Zoti Turku, i cili administroi për shumë vite njësinë e prodhimit të këpucëve “Nito” në zonën e Mamurrasit, tani ka mbyllur aktivitetin dhe po zhvendoset në aktivitetin e pasurive të paluajtshme.

Zoti Turku, që jepte punë për më shumë se 100 punonjës të zonës në fabrikën e tij të këpucëve, vendosi të mbyllë përfundimisht aktivitetin këto ditë, si rrjedhojë e rënies së kërkesës nga kontraktorët, teksa më herët në vitin 2023, të ardhurat pësuan rënie të mprehtë nga nënçmimi i euros dhe rritja e pagave minimale.

Fabrikat e mëdha në ristrukturim të brendshëm, ato me 100 punonjës, në faliment

Fabrikat e mëdha të prodhimit të këpucës, pavarësisht se po kalojnë një periudhë të vështirë, që i ka zhytur edhe në borxhe, do të vazhdojnë aktivitetin. Fabrikat në segmentin mbi 200 punonjës duket se po e përballojnë disi krizën, duke shpresuar për përmirësim pas muajit maj.

“Para krizës në fillim të vitit 2023 kisha afërisht 250 punonjës, por aktualisht kam shkurtuar 25% të vendeve të punës. Po mundohem të shkurtoj kostot dhe të mund të mbaj forcën punëtore në ekuilibër deri në rikthimin e porosive”, tha administratori i kompanisë “Comfort shoes”, në Shkodër.

Të njëjtën taktikë po përdor edhe Fehmi Golemi, i cili zotëron fabrikën “FG Shoes” po në zonën e Shkodrës. Ai tha se po përpiqet të rrisë produktivitetin në proceset e punës me më pak punonjës, në pritje të ndryshimit të tregut. “Po mbaj kostot në kontroll të rreptë, por është shumë e vështirë.

Duke qenë se shumë fabrika fason e kanë mbyllur aktivitetin, është rritur përgjegjësia e punonjësve në ato fabrika që janë ende në punë”, – tha zoti Golemi. Në vitin 2021, pas pandemisë, tregu shqiptar u përball me kërkesë jo të zakontë për prodhim të veshjeve dhe këpucëve.

Një pjesë e kërkesës u refuzua për mungesë punonjësish. Në këtë periudhë, presionet nga punonjësit u rritën pasi kishte shumë oferta.

“Bënin mungesa pa lajmërim, nuk silleshin korrekt në vendin e punës, por tani që kolegët kanë falimentuar, edhe punonjëset kanë ndryshuar sjelljen”, tha z. Golemi.

Përpjekje për t’u integruar në zinxhirë të lartë të vlerës

Eva Laro, e cila zotëron fabrikën e prodhimit të këpucës “ProDyn” në Tiranë si i gjithë sektori po vuan pasojat e humbjeve që po vijnë nga rënia e porosive dhe nënçmimi i euros.

Që vitin e kaluar, ajo nisi të prodhojë një sasi të kufizuar këpucësh për markën e luksit “Prada”, por pjesa dërmuese e prodhimit shkon për nivelin e mesëm të konsumit si “Clark”.

Transferimi i prodhimit për një nivel të lartë të konsumit është një mundësi për rritjen e të ardhurave, por ky proces ka sfida të vështira dhe rrezikon t’i kthejë disa fabrika që kanë mbyllur ciklin sërish në fason.

P.sh., nëse për një këpucë të nivelit të mesëm, kompanitë po udhëhiqnin të gjitha proceset, duke siguruar produktin “Made in Albania”, marka të luksit, të tilla si “Prada” sërish kërkojnë vetëm disa procese prodhimi në Shqipëri.

“Unë nuk dua ta kthej fabrikën në fason për nivelin e lartë, por është një trazicion i vështirë. Ndaj, për momentin, po punoj vetëm me pak linja. Fabrika që zhvillon produktet dhe blen materialet është në Itali dhe po aty i montojnë. Nuk më duket zgjidhje afatgjatë. Të paktën, jo në vizionin tim”, tha zonja Laro.

Industria shqiptare e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve ka qenë e vonuar për të kaluar në cikle të reja të prodhimit dhe në zinxhirët e lartë të vlerës.

Përqendrimi i punës me klientët italianë e lanë industrinë në një “dembelizëm” letargjik dhe tani, gati një e katërta e industrisë nuk është në gjendje t’i zhvillojë vetë produktet e reja dhe për prodhimin e markave të luksit, as që bëhet fjalë.

Zonja Laro tha se po përpiqet të minimizojë humbjet, duke shkurtuar kostot e prodhimit, duke rritur dhe duke diversifikuar klientët. Proceset e prodhimit në Shqipëri ende shoqërohen me humbje dhe punonjësit nuk kanë shumë produktivitet.

Zonja Laro, e cila prej vitesh ka ekspertë të huaj në fabrikë, ka mundur të përmirësojë produktivitetin dhe cilësinë e prodhimit, duke ofruar trajnim për punonjës, stimuj për karrierën dhe operon me një formë moderne të organizimit të brendshëm, që nga sektori i magazinës deri te burimet njerëzore.

Nga kriza në faliment, eksportuesit hedhin sytë nga ndërtimi e

Tranzicioni i vështirë i punonjësve

Ashtu si edhe bizneset, vështirësitë erdhën akute edhe për mijëra punonjës të cilëve iu shkurtuan vendet e punës.

Mosha mesatare e punonjësve në fabrikat e këpucëve është rreth 50 vjeç, pohojnë administratorët. Në këtë moshë, një grua që ka qepur këpucë në më shumë se 20-30 vite të jetës në fabrikë e ka të vështirë të riintegrohet në një sektor tjetër.

Marsid Taullai, i cili sapo mbylli fabrikën “Tak Shoes” në Durrës, dhe po merret me përgatitjen e hotelit, tha se po merr punonjës nga jashtë për hotelin.

“Asnjë nga punonjëset e fabrikës nuk dëshiron të punojë në hotel, edhe pse e dinë që kam nevojë për punonjës. Shumë nga gratë vijnë nga familje tradicionale, të cilat i kanë lejuar ato të punojnë në komunitet në fabrikë, por që nuk i lejojnë të punojnë në hotele”, – tha z. Taullai.

Disa gra kanë vendosur të mos punojnë më dhe të ndihmojnë familjen. “Sot sapo mbylla një kontratë me agjencinë e punësimit për të marrë tre punonjës të huaj” tha z. Taullai, pavarësisht se ai kishte punësuar mbi 120 gra në fabrikën e këpucëve.

Në zonën e Shkodrës, gratë që kanë humbur punën nga kriza e fabrikave të këpucëve, në një pjesë të madhe janë integruar si punonjëse në markete, në tregtinë me pakicë, restorante dhe bare si punonjëse.

Në zonën e Mamurrasit, gratë që kanë humbur punën në fabrikën e këpucëve “Nito” janë punësuar pothuajse të gjitha në fabrika të tjera në zonën e Fushë-Krujës ku ka një seri të tjera aktivitetesh, si fabrika dhe mobilieri që ishin në kërkim të punonjësve.

Në Tiranë duket se kriza e punonjësve ka qenë më e butë. Duke qenë se në kryeqytet janë të përqendruara pothuajse shumica e fabrikave të fasonit ka pasur një ristrukturim brenda sektorit, ku punonjësit e shkurtuar janë ripunësuar nga fabrikat e mëdha.

Pavarësisht madhësisë, i gjithë sektori fason është në krizë, por bizneset e mëdha po rezistojnë të mbajnë në punë fuqinë punëtore, e cila është në tkurrje të shpejtë nga emigracioni dhe nga mungesave e dëshirës së të rinjve për t’u integruar në këtë sektor.

Fatmir Çela, administratori i “Kral Shoes”, që prodhon këpucë për tregun italian në zonën e Krujës, tha se rritja e kostove të prodhimit në Shqipëri po largon prodhuesit në vende të tjera.

Klientët po ikin në Tunizi dhe Indi tha ai. “Në sektorin e këpucës, Shqipëria punonte me volume që nuk kërkojnë shumë aftësi, tani kjo lloj pune po transferohet në vende të tjera për çmime më të ulëta nga klientët italianë”, – tha zoti Çela, i cili nuk e ka mbyllur ende fabrikën në pritje të përmirësimit të kërkesës.

Por pritja nuk do të jetë më shumë se tre muaj. Nëse do të mbeten të papunë mbi 100 persona, në zonën e Krujës e kanë të vështirë të shpërndahen në sektorë të tjerë.

Nga kriza në faliment, eksportuesit hedhin sytë nga ndërtimi e

Industria europiane e këpucëve, preferencat e konsumatorëve kanë ndryshuar

Industria europiane e këpucëve është e ndikuar shumë nga konsumatori, preferencat dhe tendencat në zhvillim të modës. Europa, e njohur për qytetet e saj të modës si Parisi, Milano dhe Londra, shpesh vendos tendencat globale të këpucëve.

Kërkesa për dizajne elegante dhe inovative i shtyn prodhuesit të përditësojnë vazhdimisht ofertat e produkteve.

Mirëpo të dhënat e fundit nga industria e modës tregojnë se, konsumatorët në Europë po kërkojnë gjithnjë e më shumë rehati së bashku me stilin, duke çuar në rritjen e segmenteve si këpucët e rastësishme dhe ato sportive.

Për më tepër, ka një preferencë në rritje për këpucë të personalizuara dhe unike, gjë që ka çuar në një rritje të kërkesës për këpucë të bëra me porosi dhe me dizajn. Ky trend i shtyn markat të rinovojnë në aspektin e dizajnit, materialeve dhe funksionalitetit.

Ndryshimi i shpejtë në tendencat e modës kërkon që prodhuesit të jenë të shkathët dhe të përgjegjshëm ndaj nevojave të konsumatorëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në ciklet e prodhimit dhe strategjitë e marketingut.

Sipas të dhënave nga Qendra Kërkimore e Konfindustrisë Italiane, këpucët italiane ngecën në tremujorin e tretë të vitit 2023 me eksporte në rënie me 7.2% në vlerë dhe 12.3% në vëllim, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

Shoqata e biznesit theksoi se eksportet u ulën si rrjedhojë e një tkurrjeje të kërkesës për këpucë në Itali dhe jashtë saj. Fabrikat e prodhimit të këpucëve janë në krizë edhe në Itali, për shkak të një krize që ka prekur rritjen e kostove të prodhimit në njërën anë dhe rënien e kërkesës nga krahu tjetër.

Pas përmirësimit post-pandemik, ritmi i shitjeve u ngadalësua ndjeshëm, duke filluar që në pranverë dhe duke u bërë edhe më i dukshëm në tremujorin e tretë të vitit 2023.

Konfindustria italiane thotë se trendi i rënies u ndihmua edhe nga pasiguria e skenarit të vështirë gjeopolitik ndërkombëtar, ku përveç luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, ngjarjet në Lindjen e Mesme arritën të krijonin kushtet për rrezik real të përhapjes së konfliktit.

Kërkesa e dobët në dy nga tregjet kryesore të konsumit të këpucëve, SHBA dhe Europë, rezultoi në një ngadalësim global të tregtisë ndërkombëtare gjatë gjithë vitit 2023.

Eksportet e Kinës shënuan rënie 3% në sasi dhe Vietnami që është prodhuesi i dytë më i madh i këpucës në rang global, pësoi rënie gjithashtu.

Nga janari deri në shtator 2023, importet e këpucëve nga 27 vendet e BE-së u ulën me 11% në vëllim nga viti në vit, duke reflektuar rënie të konsumit të këpucëve në rajon.

Por ndoshta të dhënat më të rëndësishme të konsumit vijnë nga SHBA, e cila ishte destinacioni për një në pesë palë këpucë të tregtuara ndërkombëtarisht në vitin 2022, me peshë globale prej 20.5%.

Në njëmbëdhjetë muajt e parë të vitit, importet amerikane të këpucëve ranë me 30% në vëllim dhe në vlerë, krahasuar me të njëjtët muaj të një viti më parë./Monitor