TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të jetë për vizitë në Prishtinë nesër, në kuadër të një turi Ballkanik që do të filloj.
Kryeministri Albin Kurti tha sot se Ramën do ta takojë vetëm nëse mbahet mbledhja e dy qeverive, për takime tjera jo.
“Unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, por jo takime të tjera”, tha ai.
Kurti ka thënë se i ka propozuar kryeministrit Rama që të mbajnë mbledhjen e dy qeverive që sipas Kurtit “u anulua pa arsye”.
“Unë jam në kontakt me Edi Ramën. E di që do të vij për vizitë në Prishtinë, në kuadër të turit Ballkanik. Është thënë që ky tur ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës së Procesit të Berlinit që mbahet në muajin tetor. Miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Edi Rama që pasi do të vijë e do të qëndrojë dy ditë e një natë në Prishtinë, ta mbajmë mbledhjen e dy qeverive që u anulua pa arsye”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se kanë qenë në plan të nënshkruhen 13 marrëveshje, të cilat tash kanë ngelur në sirtarë.
“Unë i kam propozuar kryeministrit Rama që ta mbajmë mbledhjen e përbashkët t'i nënshkruajmë ato marrëveshje që janë në sirtar. Andaj për mua është e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy qeverive. Nëse Edi Rama insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem tek qëndrimi që i kam thënë se për takime te ne të dyve ne kemi kontakt të drejtpërdrejtë ne takohemi shumë-shpesh. Nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri por edhe demokracia dhe paqja në Ballkan pse nuk takohen kryeministri i Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Kurti.
Kurti, pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive, Kosovë-Shqipëri, tre javë më parë, tha se anulimi ka ndodhur nga homologu i tij, Edi Rama, dhe sipas tij një gjë e tillë është e paarsyeshme dhe se mbledhjet e dy qeverive nuk mund të zëvendësohen me takime të kryeministrave.