BALLKAN, 30 Nëntor 2022, 22:41

Nesër do të lindte fëmijën e parë, dëshmitë e familjarëve për vrasjen e 35-vjeçares në Prishtinë: Policia e dinte për problemet

Nesër do të lindte fëmijën e parë, dëshmitë e
Vrasësi dhe viktima e ngjarjes së rëndë në Kosovë

Vrasja e 35-vjeçares shtatzënë në Prishtinë ka tronditur Kosovën. Mirushe Lohaj, motra e gruas që u vra sonte në QKUK thotë se autoritetet kanë qenë të njoftuara për shkurorëzimin e 35-vjeçares. Gruaja me inicialet H.M. dyshohet se u vra në oborrin para Klinikës së Gjinekologjisë derisa kishte dalë për një shëtitje. Në gjendje të rëndë emocionale e mes lotësh, Mirushe Lohaj, u shpreh se të martën, familjarët e burrit i cili dyshohet se e ka vrarë gruan e tij, e kanë lutur të kthehet në shtëpi.

Motra e viktimës thotë se Policia ka qenë në dijeni për gjendjen e gruas.

“Policia ka qenë në dijeni se motra është ndarë që katër muaj. Edhe sociali e ka ditur gjendjen e saj”.

“Rastin atë natë e kemi lajmëruar dhe mjekëve, na kanë thënë në dorë tonë është… Policia që katër muaj e din që u nda prej tij, e kanë ditë gjendjen e saj si e ka. Nuk ka tregu asgjë. E kemi vizituar. Dje kemi qenë e kemi vizituuar, kanë qenë edhe vjehrra e saj dhe kunata, as nuk u kemi folë, ajo i thoshte ktheu për hatër të fëmijëve”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se vjehrra i ka kërkuar asaj motrës herë të kthehet te ish-bashkëshorti.

“Motra i ka thënë vjehrrës se askush nuk i ka marrë në qafë pos djalit tuaj (për ndarjen)”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin, motra e viktimës, Mirushe Lohaj.

Burri i motrës së gruas së vrarë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Regjep Brahimi, deklaroi se Policia e Kosovës ka qenë në dijeni për mosmarrëveshjet mes viktimës dhe ish-bashkëshortit, si autor i dyshuar i aktit.

Brahimi u shpreh se e ndjera ka qenë e martuar për 4 muaj dhe për shkak të mosmarrëveshjeve janë ndarë, dhe për këtë ka qenë edhe intervenimi i shtetit.

Ai tha për KosovaPress se gruaja e tij ka folur me të motrën para aktit dhe se i kishte thënë që pret që të sjellë në jetë fëmijën gjatë ditës së enjte.

“Ka qenë e martuar në Godanc, ka qenë rreth katër muaj e martuar, ka pasur mosmarrëveshje me burrë dhe familje dhe nuk janë kuptuar dhe mes policisë janë ndarë. Ka qëndruar në shtëpi deri në ketë kohë për lindje… Policia ka qenë në dijeni për rastin, pasi është ndarë përmes policisë… Gruaja ka qenë me social dhe të gjitha kontrollet i ka kryer… Shoqja foli para se me ndodh rasti sot dhe ka treguar që për nesër ka me lind…Nuk ka treguar nëse ka pasur ndonjë problem apo kërcenim”, tha Brahimi.

Reagimet

Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë, në Radio Dukagjini, ka thënë se gruaja shtatzënë e cila u vra këtë të mërkurë, kishte kërkuar ndihmë edhe më parë në institucione përkatëse.

Bala, tha se institucionet e sigurisë duhet ta shtojnë përgjegjshmërinë, dhe viktimave të dhunës t’u jepet përkrahja e plotë.

Ajo theksoi, se lufta ndaj fenomenit të dhunës duhet të jetë e gjithë shoqërisë dhe të mos reduktohet vetëm në institucione.

Policia e Kosovës deklaroi se kanë pranuar informatën rreth orës 18:00 se në oborrin e QKUK-së gjendej një trup i pajetë.

Viktima besohet se ishte rreth moshës 35-vjeçare.

“Aktualisht, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ende nuk ka bërë të ditur nëse ka arrestuar persona të dyshuar për këtë ngjarje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo ishte vrasje mizore, “e papranueshme dhe e padurueshme”.

Sipas tij, dorasi ishte bashkëshorti i viktimës.

“Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën”, shkroi Kurti në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Rasti tragjik i ndodhur para më pak se një orë në oborrin e QKUK-së, e ka tronditur tërë vendin.

Dyshimet e para janë së gruaja shtatzënë u vra nga burri i saj. Besarta Breznica, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, në Radio Dukagjini, ka thënë se e ndjera ishte në proces të divorcit me bashkëshortin e saj, i cili dyshohet se ia ka marrë jetën asaj me armë zjarri.

Viktima besohet të jetë nga komuna e Lipjanit. Ajo ka thënë se gratë e vajzat në janë tejet të rrezikuara dhe të lëna anash nga institucionet e sigurisë.

“Kemi të përditshme raportimet në polici për dhunën ën familje këtë muaj kemi vrasjen e dytë kjo na le të kuptojmë që vajzat dhe gratë të tona janë në luftë në Kosovë jemi tu jetu në një dukuri të keqe por kjo na lë me kuptu se si i trajtojnë institucionet tona vajzat dhe grat tona. Kemi arrit me kuptu që qifti kanë qenë në proces divorci e kjo lë të kuptoj shumë se si i trajtojnë  këto raste prokurorët dhe gjykatësit. Drejtësia po çalon në procesin e dhunës në familje dhe atë seksuale”.

Zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për vrasjen e një gruaje të moshës rreth 35-vjeçare.

Kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti, në Debat Plus, ka thënë se gruaja shtatzënë e cila u vra, ka qenë nga komuna e Shtimes.

Ai ka thënë se të gjitha organet që merren me raste të tilla kanë qenë të informuara për rastin e gruas e cila ishte në proces të divorcit nga burri i saj, i cili dyshohet se me armë zjarri ia ka marrë jetën.

Ahmeti bëri të ditur se e ndjera pas ndarjes nga ai, jetonte vetëm me një vajzë të agjës së saj.

“Me të marrë lajmin, kam telefonuar në lagjen të fshatit Llugagji, dhe cili ka qenë statusi social i saj. Është e ndarë para 5 muajsh nga bashkëshorti i saj. Janë shtatë motra, është motra më e vogël, pas divorcit ka jetuar e vetme”.

“Pas divorcit ajo ka jetuar me një vajzë të agjes së saj. Rasti është lajmëruar në qendrën për punë sociale ne Shtime para katër muajve është lajmëruar edhe në Lipjan. Kam telefonuar menjëherë për të parë a janë marrë me këtë rast…Informacionet nga qendra sociale në Lipjan është se nuk janë marrë këta pasi që rasti ka ndodhur në komunë të Shtimes dhe janë marrë zyrtarët e asaj komunës së Shtimes. Për rastin kanë qenë në dijeni të gjithë organet që trajtojnë raste të tilla”, ka thënë ai.