AKTUALITET, 26 Dhjetor 2023, 17:21

Në rritje sektori dhe financa/ 222 mln € në prona, 1.09 mld € investime të huaja

Në rritje sektori dhe financa/ 222 mln € në prona, 1.09 mld

Për të dytin vit radhazi pasuritë e paluajtshme kryesojnë në investimet e huaja direkte. Shifrat e Bankës së Shqipërisë për tre mujorin e tretë të vitit dëshmojnë se investimet në prona dhe pasuri të paluajtshme arritën 95 milion euro, ose 24% më shumë sesa vitin e kaluar.

Përgjatë 9 muajve të 2023, investimet e huaja në prona arritën një vlerë kapitale prej 222 milion euro. Pavarësisht ngadalësimit të rritjes ekonomike në vend dhe shtrenjtimi i normave të interesit, blerjet e pronave në vend kanë vijuar të rriten, me blerjet e këtyre të fundit nga shumë shtetas të huaj, të cilët kanë qenë një faktor kyç në tregun e Real State.

Sektori i dytë për 9 mujorin e vitit është ai i industrisë nxjerrëse, i cili ka gjeneruar 200 milion euro investime. Një risi dhe kontributi më i madh për rritjen e investimeve të huaja për këtë vit e zë sektori financiar, i cili arriti në 166 milion euro, 80% më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Rritja e vlerës në këtë sektor është e lidhur ngushtë me kërkesat për kapital ndaj bankave tregtare të cilat janë rritur.

Sektori energjetik renditet i katërti, me 121 milionë euro për 9-mujorin 2023. Investimet e huaja arritën këtë vit në shifrën rekord prej 1.09 miliard eurosh, duke u rritur me 10.6% krahasuar me të njëjtën periudhë për vitin e kaluar, mbështetur gjerësisht dhe  nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit.