TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Teksa sot (17 Tetor) mbahet seanca parlamentare e shtyrë e javës së kaluar, Garda nuk ka qëndruar duarkryq.
Duke vlerësuar situatën e mundshme të kaosit politik që ndodhi në seancën e fundit të zhvilluar, me deputetët e opozitës që dogjën karrige, më pas manekinë dhe u përpoqën të ndalonin kolegët e mazhorancës për të zhvilluar punime normale në Kuvend, janë rritur edhe masat e sigurisë.
Për herë të parë vendoset gardh metalik te hyrja kryesore e Parlamentit nga forcat gardiste dhe efektivë në numër të shtuar, për të parandaluar çdo incident të mundshëm që vjen nga deputetët opozitarë, por edhe jashtë perimetrit të institucionit.
Gjithashtu ka mbërritur edhe një makinë e Zjarrfikëses, duke shtuar më tej masat, pas 2 zjarreve të fundit para godinës, me karriget dhe manekinët.
Për rrethimin e Kuvendit me gardh metalik ka pasur edhe një reagim nga kreu i grupit të PD, i cili shkruan se kjo është e turpshme.
"Shndërrimi i Kuvendit në “qelinë e rrethuar me hekura” të Pëllumb Gjokës e të ngjashmëve të tij është një akt që turpëron Shqipërinë dhe çdo shqiptar", shkruan Bardhi.
Ndërkohë, deputetët e PS kanë filluar të shkojnë në Kuvend rreth 1 orë para nisjes së seancës plenare.
Deputetët e përjashtuar të PD kanë paralajmëruar se do tentojnë hyrjen në institucion për seancë plenare. Komisioni i Etikës përjashtoi 23 deputetë pas djegies së karrigeve dhe kaosit, me 10-60 ditë ndëshkim administrativ, kurse 4 të tjerë i gjobiti në total mbi 7 mln lekë të vjetra për dëmet e shkaktuara brenda dhe jashtë sallës, seancën e 30 Shtatorit.
Më i ndëshkuari ishte kreu i grupit të PD, gazmend Bardhi, me mbi 2 mln lekë të vjetra gjobë dhe pas tij Flamur Noka, Bledjon Nallbati dhe Elda Hoti. Gjithashtu është depozituar edhe një kallëzim në SPAK për 23 prej tyre.
Sot pritet të ketë diskutime për disa çështje dhe interpelancë, sipas rendit të javës së kaluar.

