AKTUALITET, 26 Korrik 2024, 22:23

Pas dakordësisë PD-PS, Kuvendi miraton me 106 vota pro dhe 2 kundër ndryshimet e Kodit Zgjedhor, i hapet rrugë votimit të emigrantëve

Pas dakordësisë PD-PS, Kuvendi miraton me 106 vota pro dhe 2

Me 106 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim deputetët në Kuvend  votuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor që u dakordësua mes PS dhe PD që i hap rrugë votës së diasporës. Po ashtu listat do të jenë të hapura në 2/3 e tyre dhe 1/3 të mbyllura.

Kanë qene dy deputetet e opozitës, Dashnor Sula dhe Enkelejd Alibeaj që nuk kanë dhënë pëlqimin e tyre për ndryshimet që u dakordësuan mes PS dhe PD.

Listat

Në seancën e fundit plenare për këtë sesion u miratua dakordësimi mes mazhorancës dhe opozitës për lista të hapura në 2/3 e tyre dhe 1/3 të mbyllura.

PS dhe PD parashikohet të dorëzojnë në KQZ dy lista; listë shumemërore të fiksuar të kandidatëve, si dhe listën shumemërore të kandidatëve, që i nënshtrohen votimit parapëlqyes. Lista e fiksuar renditet me shifra duke nisur nga njëshi, ndërsa lista shumemërore e kandidatëve me votim të parapëlqyer nga zgjedhësit vendosen në rend alfabetik sipas mbiemrave të tyre.

Voton diaspora

Sa i përket votës së emigrantëve, KQZ drejton, mbikëqyr dhe është përgjegjëse për procesin për përgatitjen e zgjedhjeve gjithashtu organizon votimin. Çdo ent tjetër shtetëror ose privat që përfshihet në këtë proces janë të detyruar të zbatojnë rregullat e përcaktuara në këtë Kod dhe në aktet nënligjore që miraton KQZ-ja në zbatim të tij.

Pragu elektoral

Kodi i ri Zgjedhor bën edhe një tjetër ndryshim. Pragu elektoral kombëtar do të jetë 1%. Kjo iu jep mundësi përfaqësimi partive të vogla, por mandati për to do të kalkulohet vetëm nëse në një qark të caktuar tejkalojnë shifrën e 7 mijë votave.

NDRYSHIMET

Në ndryshimet e Kodit Zgjedhor thuhet se listat e partive do të jetë e mbyllur dhe gara do të jetë vetëm për ato pak vende, ku kandidatët nuk e kanë të sigurt që do të jenë brenda listës fituese.

Konkretisht, secila parti politike do të ketë dy lista në çdo qark, ku një listë e zgjedh kryetari dhe që nuk ndryshohet pasi kandidatët e asaj liste nuk futen fare në garë dhe një listë kandidatësh që do t’i përzgjedhin zgjedhësit. E përkthyer në shifra, me një përllogaritje të thjeshtë, diçka më shumë se 100 deputetë do të jenë të përcaktuar nga kryetarët dhe nuk ndryshohen, ndërkohë që më pak se 40 vende do të përzgjidhen nga zgjedhësit.

Qarku që do të ketë më shumë vende të lira, për shkak të numrit të madh të mandateve që çdo në Parlament është Tirana, ku PD dhe PS do të kenë të sigurt pa nisur zgjedhjet, nga 12 mandate secila. Ky qark çon në Kuvend 36 deputetë, por po të kemi parasysh që mund të marrin mandate edhe PSD dhe PL, numri i deputetëve që zgjidhen nga zgjedhësit do të jetë jo më shumë se 10, që do të thotë se vetëm 27% e listës është e hapur. Ndërkohë që në qarqe si Dibra dhe Kukësi, gara do të jetë vetëm për një mandat nga 3 që çojnë në Kuvend.