AKTUALITET, 26 Korrik 2024, 21:58

Toni Gogu: Katër masat që duhen ndërmarrë për të garantuar të dhënat e sistemit TIMS

Toni Gogu: Katër masat që duhen ndërmarrë për të

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu, prezantoi sot në Kuvend raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor për Mbrojtjen e sistemit TIMS.

Në cilësinë edhe të nënkryetarit të këtij komisioni, Gogu renditi rezultatet e hetimit katër mujor e gjithëpërfshirës. Gogu propozoi katër masa që duhen ndërmarrë.

“1. Rishikimi i Kornizës Ligjore- Hetimi ynë nënvizon nevojën urgjente për të rishikuar dhe harmonizuar kuadrin ligjor ekzistues që rregullon sistemin TIMS. Konkretisht duhet të trajtojmë:

i. Ligji nr.8792, datë 10.05.2001 “Për krijimin e qendrës së përpunimit të të dhënave”.

ii. Ligji Nr.71/2016, “Për Kontrollin Kufitar”

iii. Ligji nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar.

2. Zbatimi i akteve ligjore dhe nënligjore- Ne identifikuam çështje të rëndësishme në zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore, duke nxjerrë në pah mangësitë që duhen adresuar për të garantuar integritetin dhe efikasitetin e sistemit.

3. Rishikim Gjithëpërfshirës i Aktiviteteve Operative të Policisë- Një rishikim gjithëpërfshirës i aktiviteteve operative të të gjitha strukturave të policisë që ndërveprojnë me sistemin TIMS është thelbësor. Gjetjet nga ky raport duhet të adresohen me shpejtësi përmes legjislacionit të ri, i cili së shpejti do të paraqitet për shqyrtim parlamentar.

4. Rishikimi dhe përmirësimi i akteve nënligjore- Aktet nënligjore aktuale që rregullojnë sistemin TIMS kërkojnë një rishikim të plotë. Për të mbrojtur integritetin e të dhënave të sistemit, ne duhet të zbatojmë kontrolle në çdo nivel dhe të vendosim rregulla të qarta që përcaktojnë kompetencat dhe llogaridhënien”, tha Gogu.