AKTUALITET, 25 Gusht 2023, 12:50

Ndërhyrja në sistemin TIMS/ Akuza e Berishës: Ervin Muço përdori kompani private për të vjedhur të dhënat! Ka ndërhyrë edhe te Kadastra

Ndërhyrja në sistemin TIMS/ Akuza e Berishës: Ervin Muço

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se të dhënat e TIMS u vodhën nga një kompani private përmes zyrtarit të lartë të policisë, Ervin Muço.

Duke folur në konferencën e përjavshme për shtyp ai tha se qëllimi për ti marrë të dhënat e databazës së TIMS-it është të zhdukin udhëtimet me charter.

“Tërësisht në mbështetje të krimit, në mbrojtje të krimit: nxjerrjen e të dhënave në një akt in ekstremis të të dhënave të TIMS. Aty është i gjithë databejzi i krimit dhe jo i krimit.

Ervin Muço, i dërguar direkt nga Edi Rama pas Taulant Ballës, për të ekzekutuar këtë krim të shëmtuar, kur atij nuk iu bindën punonjësit, të cilët i përgëzoj, ai shkoi dhe mori kompani private dhe i mori serverat në komisariat dhe i nxori të dhënat. Kjo është vepër e Edi Ramës dhe Taulant Ballës. Atyre u duhet të shuajnë të dhënat e çarterave. McGonigalin e ka sjellë Duçka dhjetë herë me çarter këtu.

Alberto Preseci dhe Flavio Tosi kanë ardhur te Erion Veliaj me dhjetëra herë me çarter”, tha Berisha.

Po ashtu, Berisha u shpreh se Ervin Muço ka ndërhyrë edhe në kadastër, asnjë qytetar nuk e ka pronën e tij të sigurt

“Shikoni se çfarë ndodh me kadastrën e tyre? Asnjë qytetar nuk e ka pronën më të sigurt më. Me ndërhyrjet e Ervin Muçës në kadastër.

Kadastra e Shqipërisë është në duart e klaneve të drogës.

Është e tmerrshme, operacionet që ka udhëhequr Ervin Muço, të cilat njësoj si me TIMS-in, duart e zeza të mafies mund të krijojnë çdo lloj ndryshimi në kadastër.

Nuk ka shqiptar të ndershëm që e ka pronën të sigurt me këto operacione kriminale që janë kryer në kadastrën e vendit.

Zgjidhja është vetëm protesta e fuqishme popullore. Natyrisht, ndihma e partnerëve tanë është e një rëndësie të jashtëzakonshme”, u shpreh ish-kryeministri.