AKTUALITET, 19 Tetor 2025, 13:14

Ndarja nga jeta e Janusz Bugajskit, Ylli Rakipi: Analizat e tij, kontribut me vlerë për aspiratat euroatlantike të shqiptarëve

Ndarja nga jeta e Janusz Bugajskit, Ylli Rakipi: Analizat e tij, kontribut me

Analisti i njohur amerikan me origjinë polake, Janusz Bugajski, ndërroi jetë dje në moshën 71-vjeçare. Lajmin për vdekjen e tij e bëri publik ish-drejtori i VOA-s për Evropë dhe Euroazinë, Elez Biberaj.

“U trondita dhe u pikëllova thellë kur mësova për ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tim të ngushtë Janusz Bugajski. Janusz ishte një analist brilant i çështjeve euroaziatike, një autor prolifik botimet e të cilit formësuan thellësisht kuptimin tonë për rajonin dhe një avokat i qëndrueshëm për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe lirinë e shtypit. Ai ishte një mysafir i shpeshtë dhe i vlerësuar në transmetimet e Zërit të Amerikës, dhe njohjet e tij ishin vazhdimisht të qarta, parimore dhe thellësisht të informuara”, ka shkruar Biberaj në rrjete sociale.

Bugajski ishte njohës i çështjeve euroatlantike dhe të Ballkanit si dhe mbrojtës i demokracisë e lirisë së shtypit. Gjatë karrierës së tij, Bugajski ka bashkëpunuar me institucione prestigjioze ndërkombëtare dhe ishte analist i rregullt në Zërin e Amerikës (VOA).

Bugajski ka qenë autor i një sërë librash dhe analizash mbi politikën ndërkombëtare, me fokus të veçantë në zhvillimet në Ballkan, NATO dhe marrëdhëniet transatlantike.

Për shumë vite, ai ishte një bashkëpunëtor i rregullt i gazetës “Albania”, duke kontribuar me analizat e tij për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit në pëgjithësi. Ylli Rakipi, ish-botues i gazetës “Albania” dhe prej vitesh drejtues i emisionit “Të Paekspozuarit”, duke shprehur ngushëllimet për humbjen e parakohshme të tij, e vlerësoi lart bashkëpunimin me Bugajskin, duke deklaruar se “analizat e tij ishin një kontribut me vlerë veçanërisht për aspiratat euroatlantike të shqiptarëve të shpërndarë në disa shtete të Ballkanit”.