AKTUALITET, 18 Tetor 2025, 19:57

805 raste me kancer gjiri në 2024, 15 prej tyre meshkuj, mjekët apelojnë për kontroll të hershëm

805 raste me kancer gjiri në 2024, 15 prej tyre meshkuj, mjekët

Tetori Rozë shënon muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, me qëllim nxitjen e grave për diagnostikim dhe trajtim të hershëm të sëmundjes. Sipas të dhënave të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, gjatë vitit 2024 u regjistruan 805 raste të reja me kancer gjiri, prej të cilave 15 ishin meshkuj.

Prof. asc. Helidon Nina, shef i Onkologjikut në QSUNT, deklaroi për ATSH-në se grupmosha më e prekur mbetet 50–70 vjeç, ndërsa nuk është vënë re një rritje e dukshme e rasteve te moshat e reja.

“Mamografia rekomandohet sidomos për këtë grupmoshë. Faktorët e pamodifikueshëm janë gjinia femërore, trashëgimia, testet gjenetike pozitive dhe menopauza e hershme apo e vonshme. Ndërsa faktorët që varen nga individi lidhen me mënyrën e jetesës: ruajtja e peshës trupore, aktiviteti fizik, lindja para moshës 30 vjeç dhe gjidhënia”, – theksoi Nina.
Ai shpjegoi se trajtim i hershëm është thelbësor për suksesin e terapisë, ndërsa në QSUNT tashmë përdoren teknologji moderne diagnostike dhe trajtime bashkëkohore, si imunoterapia, kimioterapitë e reja, mamografia me tomosintezë 3D, dhe eko elastografike.

“Në radioterapi kemi kaluar nga kobalti tek akseleratori linear. Po ashtu, teknikat e rikonstruksionit të gjirit janë përmirësuar ndjeshëm. Sot protezat mund të vendosen nën lëkurë pa përdorur meshë, që është një element i kushtueshëm”, – shtoi ai, duke theksuar se po punohet që protezimi i gjirit pas kirurgjisë të rimbursohet plotësisht nga shteti.
Prof. Nina theksoi rëndësinë e kontrollit të rregullt, jo vetëm gjatë Tetorit Rozë:

“Mamografia ofrohet falas gjatë gjithë vitit në spitale, maternitete dhe me njësi të lëvizshme në rrethe. Në QSUNT, ekzaminimet kryhen çdo ditë deri në orën 18:00.”
Sipas tij, gratë duhet të jenë të kujdesshme ndaj shenjeve të para si: masa në gji, tërheqje e lëkurës, sekrecione me ngjyrë të kuqe apo të zezë, gjëndra në sqetull ose skuqje që ngatërrohet me mastitin.

“Vetëkontrolli nuk është vendimtar, por ka rëndësi. Lufta kundër kancerit të gjirit bëhet gjatë gjithë vitit dhe media ka rol kyç në përhapjen e ndërgjegjësimit,” – përfundoi ai.