AKTUALITET, 5 Maj 2026, 21:59

Ndarja nga jeta e ish-kryetarit të Kuvendit Servet Pëllumbi/ Spiropali: E mbajti PS në këmbë në kohët më të vështira

Ndarja nga jeta e ish-kryetarit të Kuvendit Servet Pëllumbi/

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit Servet Pëllumbi, duke e vlerësuar atë si një figurë me dinjitet dhe kontribut të rëndësishëm në jetën politike dhe institucionale të vendit.

Në mesazhin e saj, Spiropali shkruan se Pëllumbi “e përjetoi politikën me dinjitet, qetësi dhe përgjegjësi”, duke theksuar rolin e tij në një nga periudhat më të vështira për Partinë Socialiste.

“Ai, në një nga momentet më të vështira të Partisë Socialiste, kur lideri i saj ishte në burg, e mbajti opozitën në këmbë me vendosmëri e besim te vlerat e majta”, shkruan Spiropali.

Ajo vlerëson gjithashtu kontributin e tij si kryetar Kuvendi, duke e cilësuar si një shembull ekuilibri dhe gjuhe që, sipas saj, “ul tensionin dhe ngrinte nivelin e debatit politik”.

“Si Kryetar Kuvendi, mbeti shembull i ekuilibrit dhe i një gjuhe që ulte tensionin dhe ngrinte nivelin e debatit, duke i dhënë politikës besueshmëri në kohë të vështira”, shton ajo.

Në përmbyllje të reagimit, Spiropali e përshkruan Pëllumbin si një personalitet që i dha institucioneve respekt dhe peshë, duke i dhënë lamtumirën me fjalët: “Prehu në paqe, Profesor!”.