AKTUALITET, 15 Shkurt 2024, 21:10

"Na tha se kemi udhëheqës të shquar"/ Andi Bushati: Blinken mbështeti regjimin e Edi Ramës!

"Na tha se kemi udhëheqës të shquar"/ Andi Bushati:

Andi Bushati, ishte i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku foli për vizitën e Sekretarit Blinken në Tiranë dhe mesazhet që i përcolli në vendin tonë. 

Bushati tha se vizita e Blinken shërbeu për të mbështetur regjimin e Edi Ramës, të cilin e quajti "udhëheqës të shquar" dhe "partner të jashtëzakonshëm". 

Bushati tha se Blinken i tha mbështetje regjimit të Ramës. 

"I vetmi mesazh që mund të veçoj ishte një mbështetje e hapur për Edi Ramën. Vajti te Piramida dhe tha se është “udhëheqës i shquar”.

Ka patur retorikë nga opozita, ku na është thënë që Ramën nuk e takojnë në Amerikë dhe nuk i falin McGonigalin, u dogj përfundimisht. Në fakt, Sekretari thotë “udhëheqës i shquar”. Nuk mjafton kjo por thotë “një kryeministër shumë i mirë”. Te Kryeministria thotë “partner i jashtëzakonshëm”. Dhe sikur të mos mjaftojë kjo, thotë “partneriteti ynë nuk ka qenë kurrë më mirë”. Pra mesazhi konstant ishte, mbështetje për regjimin e Edi Ramës.

Unë e quaj regjim, ai e quan kryeministër shumë të mirë.

Çdo rilindas, çdo patronazhist, sot duhet të jetë me flatra, sepse ajo për të cilën militon ka marrë edhe vulë amerikane.

Problemi im është, se ç’duhet të bëjë një opozitar, që mendon se Rama ka ngritur një sistem korruptiv, ka asgjësuar demokracinë.

A mund të jesh sot, edhe kundërshtar apo kritik i Ramës dhe pro amerikan dhe pro kësaj administrate dhe politikës që kjo administratë ndjek karshi Shqipërisë?

Për mua kjo është e pamundur, nuk bëhen bashkë këto koncepte", tha Bushati.