BALLKAN, 5 Shtator 2024, 16:46

Ministrja e Jashtme e Kosovës: Ura e Ibrit duhet të hapet, është simbol pajtimi

Ministrja e Jashtme e Kosovës: Ura e Ibrit duhet të hapet,

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, priti në një takim homologen nga Finlanda, Elina Valtonen. Biseda u përqendrua në sfidat e sigurisë, me rolin e NATO-s që vazhdon të jetë jetik për stabilitetin e rajonit. Duke shprehur synimin e qartë të Kosovës për anëtarësim në Aleancën e fuqishme perëndimore, ministrja Gërvalla foli për hapjen e urës së Ibrit.

“Kemi diskutuar edhe për zhvillimet në veri të vendit e veçanërisht për situatën e urës kryesore në Mitrovicë. Kjo urë e cila ka simbolizuar ndarje dhe përçarje për shumë vite duhet të hapet, vetëm kështu ajo është shndërrohet në një simbol të pajtimit dhe të bashkimit. Kosova është e përkushtuar të zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit të saj, duke garantuar të drejta të barabarta për gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike”, tha Donika Gërvalla.

Kurse ministrja e Jashtme e Finlandës foli jo vetëm për çështje të sigurisë, por edhe për ato të integrimit dhe ekonomisë. “Kemi biseduar për dialogun e Prishtinës dhe Beogradit dhe normalizimin e marrëdhënieve mes palëve. Finlanda është përkrahëse në kuadër të KFOR-it edhe për veprimet në kuadër të EULEX-it në stabilitetin për Ballkanin Perëndimor. Finlanda siç është pajtuar në marrëveshjen e vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve dhe jemi të gatshëm të bëjmë çfarëdo që është e mundur që të ju mbështesim në këtë rrugë”, u shpreh ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen.

Pas konferencës, Gërvalla me homologen nga Finlanda vizituan memorialin “Heroinat” në Prishtinë. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Valtonen është takuar dhe me presidenten, Vjosa Osmani.