AKTUALITET, 8 Shtator 2023, 09:55

“Ministria e Brendshme nuk do të bëjë më tenderë”- Zbardhet vendimi i qeverisë për krijimin e një shoqërie aksionare në pronësi 100% të shtetit! Ja kur do të nisë punën

“Ministria e Brendshme nuk do të bëjë më

Qeveria miratoi dje vendimin që heq Agjencinë Shtetërore të Blerjeve të përqendruara nga Ministria e Brendshme.

Tashmë, blerjet nuk do të kryhen më nga kjo agjenci që varej nga Ministria e Brendshme, por është krijuar një shoqëri aksionare në pronësi 100% të shtetit.

Një vendim të tillë e pati paralajmëruar më herët kryeministri Rama, sipas të cilit qeveria do të krijojë shoqërinë e “Operatorit të Blerjeve të Përqendruara”, shoqëri aksionare 100% e shtetit nga ku do të miratohet të gjithë tenderët publikë për Kryeministrinë, ministritë dhe institucionet e varësisë.

Autoriteti publik që përfaqëson shtetin si pronar të 100% të aksioneve të shoqërisë është ministria përgjegjëse për ekonominë. Ajo do të funksionojë sipas ligjit për tregtarët dhe shoqëritë tregtare të vitit 2008 dhe organet drejtuese janë Asambleja e Përgjithshme e Aksionarit, Këshilli Mbikëqyrës dhe Drejtori.

Ky i fundit emërohet dhe shkarkohet nga asambleja e përgjithshme e aksionarit dhe ajo do të fillojë punë brenda dhjetori 2023. Drejtori i kësaj shoqërie aksionare nuk ka afat mandati të përcaktuar për largim nga detyra vetëm kur jep dorëheqjen, del në pension, është i sëmurë ose shkarkohet.

OBP kryen blerjet e institucioneve publike që kanë të bëjnë me blerje automjetesh, blerje karburanti, blerje materialesh kancelarie, orendi e pajisje mobilimi, materialet e pastrimit, uniformat dhe elementë e tyre, blejë këpucësh, pjesët e këmbimi për automjet e shtetit, blerje tenderash, dhe kryen edhe shërbimet në fushën e sigurimeve. Përcaktohet se ky organ do të kryejë edhe shërbimin e gatimit dhe shpërndarjen e ushqimeve, lavdëritë, mirëmbajtjen e ndërtesave lyerje pastrim deri edhe shërbime gjelbërimi.

Të gjitha autoritete apo entet kontraktore do duhet ti drejtohen OBP për të fituar tenderat publike për shërbimet. Shoqëria aksionar financohet nga të ardhurat e veta, të ardhura nga shërbime të të tretëve, të konsulencës, dhe nga burime të tjerë të ligjshme. Kjo shoqëri mund të ofrojë shërbime shtesë edhe për subjekte private në përputhme me qëllimin e krijimit të saj. Prokurimet publike do të vijojnë të bëhen në sistemin e prokurimit elektronik deri në 31 dhjetorin e këtij viti kur do të vihet në funksion kjo shoqëri dhe ato që do të ngelen të papërfunduar do të mbyllen nga OBP.

“Këshilli i Ministrave ka vendosur krijimin e shoqërisë aksionare shtetërore ‘Operatori i Blerjeve të Përqendruara’, SH. A. për kryerjen e procedurave të veçanta të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë. Bëhet fjalë për një propozim të ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Financave dhe Ekonomikë, për krijimin e kësaj shoqërie aksionare, me kapital 100% shtetërore, me emërtimin Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OPB) për ofrimin e shërbimeve të prokurimeve për autoritetet/ entet kontraktore, në përputhje me kërkesat e legjislacionit përkatës në fuqi”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Sipas këtij vendimi, autoriteti publik që përfaqëson shtetin si pronar të 100% të aksioneve të shoqërisë aksionare, është ministria përgjegjëse për ekonominë. VKM përcakton se kapitali fillestar i regjistruar për krijimin e shoqërisë aksionare të jetë 20.000.000 lekë dhe përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ministria përgjegjëse për ekonominë transferon këtë shumë pranë kësaj shoqërie menjëherë pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit.