AKTUALITET, 8 Nëntor 2023, 09:34

Meta shkon në SPAK për çështjen ÇEZ-DIA: Është thjesht një telenovelë

Meta shkon në SPAK për çështjen ÇEZ-DIA:

Kreu i Partisë së Lirisë dhe ish-Presidenti, Ilir Meta ka shkuar ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme.

Ilir Meta ka mbërritur në SPAK mëngjesin e sotëm rreth orës 09:15 për të marrë në pyetje për çështjen CEZ-DIA.

“Është një telenovelë që është gjykuar një dy herë, është rihapur për rastin konkret në nëntor 2019 nga një kallëzues i rreme që është dënuar dy herë nga gjykatat për shpifje dhe është dënuar një herë për dhunë në familje”, tha kreu i PL-së për mediat para se të hynte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Kjo është hera e dytë që Ilir Meta thirret në SPAK për çështjen ÇEZ-DIA.

Ai gjithashtu u mor në pyetje në 23 shkurt të këtij viti nga prokurorët dhe pas daljes nga ambientet e SPAK Meta mohoi të kishte lidhje me marrëveshjen për privatizimin e CEZ-DIA.

Meta edhe më herët ka mohuar të ketë lidhje me marrëveshjen për privatizimin e CEZ-DIA.

Për këtë aferë u dënua Kastriot Ismailaj për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”, ku me falsifikim të dokumenteve arriti të përvetësojë nga kompania CEZ, rreth 5 milionë euro për një shërbim të cilin nuk e kishte kryer.