AKTUALITET, 26 Shtator 2022, 22:00

"Mehmet Akif, shembull për cilësinë"/ Sejamini: Mbyllja e shkollës me kërkesë të Erdogan, i shërben vetëm interesit personal të Ramës!

"Mehmet Akif, shembull për cilësinë"/  Sejamini:
Edi Rama dhe Neritan Sejamini

Neritan Sejamini ka folur për vendimin e qeverisë për mbylljen e shkollës "Mehmet Akif". 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, analisti deklaroi se kjo shkollë është ndër më cilësoret ndër institucionet private në Shqipëri dhe se mbyllja e saj i shërben vetëm interesave personale të kryeministrit Rama, që ka një raport të ngushtë dhe personal me Presidentin Erdogan. 

"Shkolla është mbyllur me urdhër të Edi Ramës dhe kërkesë të Presidentit turk Erdogan. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. 

Përse ka kaq pushtet Erdogani mbi Ramën? Dhe çfarë shteti kemi ne që jep urdhër Rama dhe zbatohet direkt? Mund të flasim për lidhjet personale, ndikimin në ekonomi etj. Kjo që ka ndodhur i shërben vetëm interesit përsonal të Edi Ramës.

Në këtë marrëdhënie që nuk është transparente, marrim vesh rastësisht kur Rama është në dreka apo darka, apo në dasma... Në këtë marrëdhënie jo transparente, natyrisht urdhërat, pushteti dhe interesi komunikohen në mënyrë private.

Nuk ka asnjë rezistencë në gjithë shtetin shqiptar. Ministria, Drejtoritë Rajonale të shkollave, etj, që i binden dhe e dinë se shkolla është mbyllur për arsye politike. Që institucionet e arsimit të lejojnë mbylljen e një shkolle është skandaloze.

Me mbylljen e kësaj shkolle, plotësohet një cikël i plotë i veprimeve të zotit Rama. Ka mbyllur dhe shembur Teatër, Stadium… Po e plotëson duke mbyllur një nga shkollat më të rëndësishme.

Shkollat e kolegjit turk kanë qenë shkollat më të rëndësishme, sa i përket cilësisë. Janë shkolla që janë bërë shembull për arsimin privat në Shqipëri", deklaroi Sejamini.