AKTUALITET, 13 Mars 2023, 13:42

Mbledhja e Këshillit të Ministrave, Balluku: Miratuam projektligjin për ndërtimin e urës së Bunës

Mbledhja e Këshillit të Ministrave, Balluku: Miratuam projektligjin

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave kanë miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për ndërtimin e urës mbi Bunë.

Bëhet fjalë për projektin e urës së Bunës, për të cilën u dakordësua gjatë mbledhjes së qeverisë me atë të Malit të Zi.

"Kjo urë do të ndryshojë të gjithë mënyrën e komunikimit midis dy vendeve pasi kanë 34 km plazhe të cilat për ti aksesuar qytetarët duhet të bëjnë rreth 1.5 orë rrugë për 73 kilometra. Ndërkohë që me ndërtimin në urën e Bunës, me 310 metra do të përshkruhet në vetëm dy minuta.

Ky është një investim që do të bëhet duke i ndarë investimet midis të dy vendeve. Rezulton që investimi të shkojë 1.5 miliardë lekë që do të ndahet 50 me 50.

Kemi nisur punën që projektimi dhe gjithçka tjetër të kryhet nga FSHZH sa më shpejt. Sot kemi kaluar edhe akte të tjera në fushën e energjisë.

Sidomos me parqet fotovoltaike që ka pasur gjatë 2022, një interes të shtuar nga investitorët private. Sot kemi miratuar edhe ecurinë e projektit të OST për ndërtimin e linjës 110 kilovoltëshe në Unazën e Re të Tiranës, e cila do të ndjekë edhe zhvillimet që po ndodhin atje për ndërtimin e Unazës Veriore.”, tha Balluku.