AKTUALITET, 20 Tetor 2025, 10:25

Mbetet në burg/ Apeli i Posaçëm rrëzon ankimimin e Erion Veliajt, lë në fuqi vendimin e GJKKO

Mbetet në burg/ Apeli i Posaçëm rrëzon ankimimin e Erion

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që lë në burg ish kryetarin e bashkisë Tiranë, duke rrëzuar ankimimin e paraqitur nga Erion Veliaj.

Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për të shpallur të pavlefshme veprimet hetimore të kryera nga SPAK. Apeli lë në fuqi vendimin e datës 1 shtator të Shkallës së Parë.


“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 20.10.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 240 akti, datë 14.10.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim E.V., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 43 akti, datë 01.09.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Konstatimi i shkeljeve procedurale të Prokurorisë së Posaçme gjatë fazës së hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 27, të vitit 2024 dhe pavlefshmërinë e veprimeve hetimore” dhe vendosi:

- Lënien në fuqi të Vendimit nr. 43 akti, datë 01.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

U shpall në Tiranë, me datë 20.10.2025.", njofton gjykata.