AKTUALITET, 4 Dhjetor 2025, 10:00

Masat ekstreme/ “Burg, burg, burg”, ish-prokurori i Apelit: SPAK ra “pre” e mllefit të qytetarëve e epshit popullor për ndëshkime

Masat ekstreme/ “Burg, burg, burg”, ish-prokurori i Apelit: SPAK ra

Ish-prokurori Gentjan Tërnova u shpreh se në disa raste masat e sigurimit të dhëna nga SPAK për persona publik janë ekstreme dhe kanë një lloj mllefi, duke rënë pre e dëshirës popullore për ndëshkime.

“Mendoj se në këto raste ka qenë e tepruar masa e sigurimit të arrestit me burg për personat publik, pavarësisht se një pjesë e publikut kërkon masa ekstreme arrestime sepse kanë një lloj mllefi, inati, por prokuroria nuk duhet të bjerë pre e kësaj dëshire, apo këtij epshi popullor për ndëshkime”, u shpreh Gentjan Tërnova, ish-prokuror, për Inside Story.

Ndërkohë që ish-prokurori Eugen Beci u shpreh se duhet ndarë ndëshkimi nga drejtësia.

“I dhamë fund pandëshkueshmërisë. Sot do shohim, a mos kemi shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut, thjesht për të kënaqur opinion publik, për të kënaqur ato zërat të cilat prisnim me padurim drejtësinë, këtu duhet të ndajmë ndëshkimin nga drejtësia”, u shpreh Eugen Beci, ish-prokuror.

Kërkesat drastike të SPAK për masat e arrestit me burg, nuk ishin thjesht një perceptim dhe lojë statistikash. Kjo politikë e ashpër mori një goditje të fortë në Gjykatën e Strasburgut për rastin e ish drejtorit të televizionit publik Thoma Gëllçi.

Gjykata e të drejtave të njeriut konkludoi se nuk justifikohej mbajtja e tij në paraburgim, vendim i cili binte si kritikë e fortë ndaj SPAK.