AKTUALITET, 27 Gusht 2024, 12:12

Mandati i Olta Xhaçkës, debat mes Felajt dhe Çupit: Kjo godinë ka vite që është rrumpallë

Mandati i Olta Xhaçkës, debat mes Felajt dhe Çupit: Kjo

Në mbledhjen e këshillit të legjislacionit, ku po diskutohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ish-ministren dhe deputeten Olta Xhaçka, deputetja socialiste Ermonela Felaj është shprehur se duhet të japin një mendim të përbashkët dhe jo të bëjnë raporte e t’i miratojnë.

Një gjë e tillë është kundërshtuar nga kryetarja në detyrë e kësaj mbledhjeje, Dhurata Çupi, e cila këmbëngul për krijimin e një raporti që më pas t’ia dërgojnë kryetares së Kuvendit.

Pjesë nga diskutimi:

Felaj: Mendon se mund të jemi më të kursyer në kohë dhe në retorikë. Këshilli për legjislacionit është këshillimor, për të dhënë mendim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për çështjen në fjalë jemi marrë shumë gjatë. Meqë jemi organ i dhënies së mendimit, të japim mendimin e përbashkët dhe kryetarja e Kuvendit, mocionin me debat ta përfshijë në seancë plenare. Këtë mendim duhet t’i japim kryetares së Kuvendit, Nuk do isha të futeshim në raporte, të mblidhemi dhe njëherë për të miratuar raporte etj etj. Mund ti referohemi nenit 14.

Çupi: Faleminderit zonja Felaj. Në fakt ka vite që kjo godinë dhe godina përballë gjendjen në një rrumpallë dhe kaos legjislativ ku askush nuk respekton atë. Nuk keni pikën e respektit për çfarë thotë Kushtetuta dhe rregullorja. Ka një urdhër të kryetares së Kuvendit që kërkon mbledhjen e Këshillit Legjislativ të Kuvendit për shqyrtimin e vendimit nr 55. Ka një rregullore që ka pikë 1 dhe 4 , por ka dhe pikën 8 për një raport. Nuk mund t’i dalim në dritare dhe të njoftojmë Spiropalin, por duhet një raport me shkrim. Fakti që jemi dakord për një raport, mund t’ia paraqesim kryetares.