TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Atletja Luiza Gega, një nga sportistet e para të kualifikuara për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, është zgjedhur flamurmbajtësja e Ekipit Olimpik Shqiptar. Flamuri iu dorëzua asaj nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në ceremoninë zyrtare të organizuar në Pallatin e Sportit “Feti Borova” nga Ambasada e Francës në Shqipëri në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Shqiptar dhe Bashkinë e Tiranës.
Ministrja Manastirliu, në fjalën e saj, vlerësoi punën gjatë viteve dhe përkushtimin e sportistëve, që arritën të bëhen pjesë e Ekipit Olimpik që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Paris 2024”.
“Është një moment i rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë në arenën sportive. Me sportistë tanë elitar që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” nuk celebrojmë vetëm dedikimin dhe talentin e tyre por nderojmë frymën e përbashkimit që flamuri ynë përfaqëson, simbolikën e madhe dhe dorëzimin te ekipi ynë” u shpreh Manastirliu.
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e mbështetjes financiare dhe morale për sportistët dhe shprehu besimin se Shqipëria do të ketë një përfaqësim dinjitoz në Paris.
“Ky rrugëtim në këto Lojëra Olimpike është një dëshmi e angazhimit tuaj të palëkundur për sportin por nga ana tjetër dhe e mbështetjes sonë si qeveri një mbështetje që nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë për ju”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Shqipëria do të përfaqësohet me 8 sportistë në Lojërat Olimpike, që do të mbahen prej datës 26 korrik deri më 11 gusht 2024, në Paris.
Katër janë sportistë të kualifikuar, atletja Luiza Gega, që do të garojë në 3000 metra me pengesa, mundësit e stilit të lirë Zelimkhan Abakarov (pesha 57 kilogramë), Islam Dudaev (pesha deri në 65 kilogramë) dhe Chermen Valiev (pesha 74 kilogramë), ndërkohë që 4 sportistë të tjerë e kanë siguruar pjesëmarrjen me ftesa. Ato janë Franko Burraj në atletikë 100 metra, Manjola Konini në qitje, në disiplinat 25 metra pistol dhe 10m Air pistol, si edhe notarët Kaltra Meça 200 metra stil i lirë dhe Grisi Konxhaku 100 metra stil i lirë.