AKTUALITET, 16 Gusht 2023, 19:40

Luigi Soreca rikthehet në Shqipëri, komandohet në krye të Delegacionit të BE-së

Luigi Soreca rikthehet në Shqipëri, komandohet në krye të

Luigi Soreca është rikthyer zyrtarisht me detyrë në Shqipëri, pasi shërbeu si ambasador i Bashkimit Evropian gjatë viteve 2018-2022.

Mësohet se Soreca është rikthyer në Shqipëri duke marrë postin e të ngarkuarit me punë në krye të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.

Ai do mbajë këtë pozicion duke nisur nga data 1 shtator, deri në mbërritjen e kreut të ri të Delegacionit të BE-së.

Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Komisioni Europian për A2 CNN. Në përgjigjen e dhënë, thuhet se Soreca do të marrë detyrën në datën 1 shtator dhe do të drejtojë Delegacionin e BE-së në Tiranë deri në ardhjen e Shefit të ri të Delegacionit.
“Nga data 1 shtator, ambasadori Luigi Soreca do të drejtojë Delegacionin e BE-së në Tiranë deri në ardhjen e Shefit të ri të Delegacionit.

Përvoja dhe njohuritë e tij për vendin dhe rajonin do ta lejojnë atë të përfaqësojë Bashkimin Evropian në ngjarjet e ardhshme në kontekstin e procesit të zgjerimit

Dëshirojmë të falënderojmë ambasadoren Christine Hohmann për punën dhe kontributin e saj të jashtëzakonshëm në çuarjen përpara të procesit të anëtarësimit në BE për Shqipërinë”, thuhet në përgjigjen për A2 CNN.
Eksperienca e tij ishte kyçe për rikthimin e tij në Tiranë, pasi Soreca ka shërbyer si ambasador në vendin tonë për tre vite e shtatë muaj. Ai erdhi në Tiranë në shtator të vitit 2018, për t’u larguar në prill të 2022.

Diplomati rimerr këtë post pas largimit të Hohmann, e cila doli nga shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian, për t’u rikthyer si pjesë e diplomacisë së Berlinit zyrtar në Irak.

Deri më tani Soreca shërbente si pjesë e ekipit të Përfaqësuesit të Lartë Borrell në EEAS në Bruksel, ndërsa ka shërbyer edhe si i dërguar i posaçëm i KE në Itali gjatë krizës së migracionit në verën e vitit 2016.