AKTUALITET, 16 Gusht 2023, 18:06

Kompleksi luksoz në Fushë-Kuqe dyshohet se ishte baza e grupit kriminal të drogës, ish-policit iu gjetën 10 mln lekë

Kompleksi luksoz në Fushë-Kuqe dyshohet se ishte baza e grupit
Veliera duke u djegur

Zbardhen të tjera detaje në lidhje me operacionin ndërkombëtar të antidrogës, ku Guardia di Finanza, DEA amerikane dhe policia shqiptare goditën një grup kriminal, që bazën e trafikut e kishte në Fushë-Kuqe.

Deri tani janë arrestuar 6 persona, mes tyre dhe ish-efektivi i policisë, Ardit Ismailuka. Mësohet se këtij të fundit i janë gjetur cash 10 milionë lekë. Ndërkohë, zëvendësdrejtori i policisë refuzoi në daljen publike që të sqaronte nëse ish-polici ka lidhje me këtë grup kriminal.

Trafikantët dje pasi vunë re se ishin pikasur nga policia, i vunë flakën velierës. Ndërkaq, dje dhe sot është ushtruar kontroll në një kompleks luksoz në Fushë-Kuqe, ku mendohet se ka qenë dhe baza e këtij rrjeti kriminal, që thuhet se i përket një personi të dënuar dhe të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik heroine. Disa prej të arrestuarve kanë refuzuar që të japin shpjegime, pavarësisht tentativës së oficerëve.

Zëvendës drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit, Sokol Bizhga theksoi se janë sekuestruar 23 kilogramë lëndë narkotike pranë vendit ku është djegur veliera që vinte nga Mali i Zi.

Janë sekuestruar gjithashtu 45 mijë euro si edhe dy armë zjarri. Janë shoqëruar në polici disa persona ndërsa deri më tani janë arrestuar 6 prej tyre.

Sipas zv.drejtorit të policisë Sokol Bizhga, operacioni nisi në orën 22:00 të mbrëmjes së 14 gushtit dhe u përmbyll pasditen e djeshme në orën 18:00.

6 personat e arrestuar në kuadër të megaoperacionit koduar “Flakë në det”, ku mori pjesë Guardia di Finanza, DEA amerikane dhe policia shqiptare, të cilët goditën një grup kriminal në Kurbin të trafikut të drogës janë:

Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë;

Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë;
Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç;
Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë;
Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë;
Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë.