AKTUALITET, 29 Tetor 2025, 20:46

"Liria ka emër", Rama ndan fjalët e James Rubin për gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK në Hagë

"Liria ka emër", Rama ndan fjalët e James Rubin për

Kryeministri Edi Rama shprehu sërish sot mbështetjen për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët po përballen me një proces gjyqësor në gjykatën ndërkombëtare të Hagës, të akuzuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

“Liria ka emër”, shkruan Rama, i cili ndau mesazhin e ish-sekretarit Amerikan të Shtetit, James P. Rubin, i cili gjatë një interviste me gazetaren Ilva Tare, në podcastin Balkans Debrief, shprehet se “do të ishte tragjedi për Kosovën dhe për drejtësinë ndërkombëtare dënimi pa prova i atyre që luftuan për liri”.

Më tej, Rubin u shpreh se dëmi do të ishte i madh, edhe për ata që në ardhmen do të kërkojnë ngritjen përsëri të një gjykate ndërkombëtare ligjore.

“Unë lutem, lutem që kjo mos të ndodhë, pasi ka për qenë një tragjedi reale për njerëzit që luftuan, ku disa prej tyre dhanë jetën për liri dhe për ata njerëz që sot përfaqësojnë miliona kosovarë dhe shqiptarë. Po shpallen fajtor, pa asnjë provë!”, tha Rubin gjatë intervistës.

“Unë e kam parë dhe ka për të qenë një plagë e tmerrshme e sistemit ligjor dhe unë mendoj se dëmi ka për të qenë për një kohë të gjatë, për ata që do të jenë të gatshëm të krijojnë ndonjë gjykatë ndërkombëtare ligjore përsëri. Kështu që unë shpresoj dhe lutem që kjo mos ndodhë”, tha Rubin.

James P. Rubin dëshmoi më 16 shtator për mbrojtjen e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Rubin e quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të Hashim Thaçit dhe të akuzuarve të tjerët.

Prej 3 prillit të vitit 2023, në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.