AKTUALITET, 2 Nëntor 2023, 15:34

Leku vijon të “rrëzojë” valutat, euro zhvlerësohet më tej, në rënie dollari dhe stërlina

Leku vijon të “rrëzojë” valutat, euro

Euro ka humbur përsëri pikë kundrejt lekut. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë  monedha europiane  është dobësuar gradualisht gjatë javës së fundit. Tashmë euro po  blihet  në kufirin e 105 lekëve. Vendimi i fundit i  Bankës Qendrore pritet të forcojë trendin rënës të monedhës europiane  në vend.

Rritja e normës së interesit në nivelet rekord  prej 3.25% synon që të forcojë monedhën kombëtare si një tentativë për të mbajtur nën kontroll shtrenjtimin e çmimeve. Kjo sepse Shqipëria është një vend i cili pjesën më të madhe të produkteve i importon dhe forcimi i lekut do të ndikonte direkt në çmime më të lira.

Një tjetër efekt që mund të ketë ndikuar në trendin rënës të euros  duket se është edhe përfundimi i sezonit turistik në vend. Monedha europiane ka qëndruar në të njëtin nivel përgjatë të gjithë muajit tetor. Por tendenca  duket që është për një dobësim të mëtejshëm të monedhës europiane.

Banka e Shqipërisë ka tërhequr deri më tani  rreth 210 milion euro për efekt të rezervës por edhe për të ulur  nivelin e qarkullimit të  monedhës evropiane në vend. Në total blerja e valutës për këtë vit parashikohet që të arrijë në total në 300 mln euro. Edhe monedha amerikane ka pësuar një dobësim të ndjeshëm duke  u këmbyer me 99 lekë.