AKTUALITET, 15 Janar 2022, 18:40

Largimi i papritur i Rushajt nga postet në PD/ Çfarë thotë i besuari i Bashës, Gazment Bardhi

Largimi i papritur i Rushajt nga postet në PD/ Çfarë thotë

Gazment Bardhi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, komentoi vendimet e Këshillit Kombëtar të PD.

Një prej ndryshimeve të bujshme, ishte ai i kryetarit të grupit parlamentar dhe nënkryetarit, Alfred Rushaj me Enkelejd Alibeajn, që shkaktoi furtunë në media dhe aludime se Rushaj ka braktisur Lulzim Bashën. 

Megjithatë, sipas Bardhit, ky ndryshim është bërë me konsensus të plotë dhe është vendosur që në këtë situatë që po kalon PD sot, ky vendim do të ishte i duhuri. Ai shtoi se Rushaj ka probleme shëndetësore, gjë që e ka thënë edhe Basha në mbledhje. 

Bardhi: Ndryshimi i kryetarit të grupit s’ka të bëjë me vendimin e kryesisë. Jam informuar nga kryetari partisë dhe Rushaj për një dakordësi të tyre që drejtimi i grupit t’i kalojë nënkryetarit tjetër të PD, Enkelejd Alibeaj. Ka qenë një vendim i përbashkët i tyre që drejtimi i grupit të bëhet nga Alibeaj. Vendimet e propozuara në Këshillin Kombëtar do të kalojnë në grupin parlamentar të PD. Dua të shpreh mirënjohjen time për punën që ka bërë zoti Rushaj si kryetar grupi. Ka bërë një punë të jashtëzakonshme edhe pse e kishte për herë të parë jetën parlamentare. Zoti Rushaj është në kushte të rënduar shëndetësore, është me kovid.

Bardhi foli edhe për propozimin e Gjekmarkajt si nënrkyetar. 

Bardhi: Kjo sepse zoti Alibeaj është vendosur kryetar grupi dhe është vlerësuar që nënkryetar të jetë Gjekmarkaj. Jo vetëm si demokrat, por si përfaqësues i jetës akademike dhe përfaqësues i katolikëve në Shqipëri. Zoti Rushaj ka pasur pozicion të qartë gjatë këtij debati të brendshëm të PD. Ka qenë i pozicionuar përkrah institucioneve legjitime të PD.