AKTUALITET, 21 Mars 2022, 17:02

Kriza në PD/ Sula: Shpresoj që Basha sot të japë dorëheqjen, do t'i hapte rrugë bashkimit

Kriza në PD/ Sula: Shpresoj që Basha sot të japë

Partia Demokratike do të vendosë sot për zgjidhjen e krizës politike pasi Luzlim Basha ka vendosur të mbledhë pasditen e sotme Grupin Parlamentar, Kryesinë dhe Kolegjin e Kryetareve.

Deputeti i PD, Dashnor Sula, në një intervistë për Ora News, tha se shpreson që Lulzim Basha të ketë marrë vendimin e duhur, që sipas tij është dorëheqja e kreut të PD. Ai tha se një vendim i tillë do t'i hapte rrugë bashkimit të PD.

"Kam bindje se sot do të ketë një vendim, dhe uroj që ky vendim të jetë i duhur për PD, që do të thotë tërheqja ose dorëheqja e Lulzim Bashës dhe hapja rrugë e bashkimit të PD. Mendoj se Basha përgjatë ditëve ka pasur një reflektim dhe mendoj se do të jetë një reflektim pozitiv. 

Basha në mbledhjet që kemi pasur ka dëgjuar me shumë vëmendje diskutimet në grupin parlamentar të PD, dhe nuk ka pasur debate. Secili nga ne duhet të kuptojë se kush është zgjidhja më e mirë për PD", u shpreh ai për Ora News.

Sula ka propozuar dhe ‘formulën’ për zgjidhjen e krizës së PD.

"Zgjidhja në PD vjen pas dorëheqjes së Bashës, krijimin e një grupi negociatorësh qoftë nga PD, qoftë edhe nga foltorja, dhe ky grup të bashkohet e të përgatitet për zgjedhje.  Që të ketë një bashkim real duhet të sakrifikojnë të gjitha palët.

Nëse nuk ndodh bashkimi real i PD do të ishte një përgjegjësi historike e Bashës, Berishës dhe mbështetësve të tyre. Kam bindjen që të gjithë palët do të duhet t’i thërrasin arsyes. Shpresoj që  vendimi i Bashës t’i hapë rrugë PD".