AKTUALITET, 13 Qershor 2023, 20:01

“Kosova po digjet, nuk bëjmë dot teatër”/ Rama zbulon arsyen e anulimit të mbledhjes mes dy qeverive

“Kosova po digjet, nuk bëjmë dot teatër”/ Rama zbulon

Kryeministri Edi Rama ka lënë të kuptohet se arsyeja thelbësore e anullimit të mbledhjes mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës është përplasja e Kurtit me komunitetin ndërkombëtar për veriun. 

Gjatë konferencës urgjente me gazetarët, Rama tha se kishte disa ditë që kërkonte ta takonte Albin Kurtin, dhe se nuk mund të bëjnë teatër me marrëveshjet që mund të presin, sa kohë Kosova po "digjet" në reputacionin e saj përballë ndërkombëtarëve. 

“Kam disa ditë që kërkoj ta takoj, ka qenë i zënë e mirëkuptoj. Nuk jemi në kushtet kur mund të bëjmë një mbledhje si UFO. Sepse Shqipëria është pjesë e pandashme e Bashkësisë Euro-Atlantike dhe nuk është UFO. Nuk mund të bëjmë teatër për marrëveshjet, që mund të bëhen edhe pas tre javësh, ndërkohë që Kosova po digjet ngadalë, por po digjet në reputacionin e saj ndërkombëtar me ata që e krijuan si shtet”, tha Rama.

Rama gjithashtu njoftoi se komuniteti ndërkombëtar po shkon drejt vendosjes së sanksioneve ndaj Kurtit dhe Kosovës. 

"Ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar dhe pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë për të disutuar për këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë Euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme ku kjo e fundit ka vënë gishtin në butonin që do të vërë në lëvizjen planin e sanksioneve", tha kryeministri. 

Kryeministri shtoi se Kurti dhe Vuçiç kanë të dy interes në vijimin e konfliktit në veri.