TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

"Festa e Birrës" në qytetin juglindor po rikthen në këtë sezon turistik mijëra shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit. Korça, si rrallë herë në këtë javë të Gushtit, po sheh një dyndje të emigrantëve, të cilët kanë vendosur që pushimet t’i kalojnë në vendlindje, e më mirë akoma në netët e festës më të madhe, ku do të performojnë këngëtarë të mirënjohur e do të ndezin atmosferën.
Pika doganore e Kapshticës është përballur në ditët e fundit me një fluks të shtuar të hyrjeve në shtetin shqiptar, ndërsa puna e shtuar e sporteleve ka bërë që të ketë më pak pritje në rradhë, krahasuar me vitet e kaluara ku qytetarët qëndronin në pritje me orë të tëra.
Në tre ditët e fundit, më tepër se 20 mijë shtetas janë futur në Shqipëri nga Kapshtica, një shifër kjo tepër e lartë sa i takon lëvizjeve në pikat kufitare. Duket se këtë sezon turistik, e më konkretisht me zhvillimin e Festës së Birrës në juglindje, të gjithë vendosën të bëhen pjesë e saj, duke e kthyer Korçën në destinacionin kryesor.
Jo vetëm emigrantët shqiptarë nga mbarë bota, por edhe turistë të shumtë i janë drejtuar këtij qyteti, për të provuar shumëllojshmëritë e birrave që do të kenë mundësi të provojnë, e pa harruar gatimet tradicionale që i gjen vetëm në Korçë.
Këtë vit zhvillohet edicioni i 16-të i festës më të madhe në Shqipëri, i festës që bën bashkë korçarë, qytetarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe mijëra turistë që preferojnë birrën dhe festat e këtij lloji. Dita ku do të kulmojë atmosfera festive është pikërisht 20 Gushti, aty ku këngëtari i mirënjohur grek Kostantinos Argiros do të mahnitë publikun me repertorin e tij.
Gjatë pesë netëve të këtij eventi, do të dhurojnë spektakel këngëtarë të mirënjohur shqiptarë si Aurela Gaçe, Eugent Bushpepa, Capital T, e shumë të tjerë.
Mos ngurroni të vini në Korçë! Datat 17-21 Gusht janë vetëm për të festuar me familjet dhe miqtë!