AKTUALITET, 9 Mars 2026, 17:01

Konflikti në Lindjen e Mesme/ Bursat në ‘shok’, çmimi i naftës bruto kalon 100 $ fuçia! Në Shqipëri ‘ari i zi’ arrin 190 lekë litri

Konflikti në Lindjen e Mesme/ Bursat në ‘shok’,

Brenda 10 ditësh nga nisja e luftës në Lindjen e Mesme, bursat janë futur në “shok”. Kërcënimi i Iranit për bllokim total të Ngushticës së Hormuzit, prej nga kalon 20% e konsumit ditor global të lëndëve djegëse, përveçse ka ngadalësuar prodhimin, po shoqërohet edhe me një shtrenjtim të fortë të naftës bruto.

Nga 70 dollarë për fuçi më 27 shkurt, një ditë para sulmit të SHBA-së dhe Izraelit mbi Iranin, sot çmimi ka arritur deri në 119 dollarë për fuçi, ndërsa mesatarisht po luhatet rreth 103 dollarë për fuçi.

Edhe në Shqipëri efektet janë ndjerë menjëherë. Nga 173–175 lekë për litër para luftës, sot në disa pika çmimi ka arritur deri në 192 lekë për litër. Shtrenjtimi i karburantit, nëse lufta përshkallëzohet, mund të pasohet nga një efekt zinxhir, duke rritur çmimet edhe për energjinë elektrike, por edhe për produktet e shportës.

Në një situatë të ngjashme, në vitin 2022, qeveria ngriti Bordin e Transparencës, i cili caktonte çmimet dhe fitimet e kompanive dhe që, pavarësisht se u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga opozita, mbeti në fuqi si i “ligjshëm”.