TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Guvernatori i Bankës së Anglisë, Andrew Bailey, ka paralajmëruar se ngjarjet e fundit në tregjet amerikane të kredisë private kanë ngjashmëri shqetësuese me krizën e hipotekave që shkaktoi kolapsin financiar global të vitit 2008.
Duke folur përpara një komisioni të Dhomës së Lordëve, guvernatori tha se është e rëndësishme të “analizohen në thellësi” rastet e kolapsit të dy kompanive amerikane, First Brands dhe Tricolor, për të kuptuar nëse ato ishin ngjarje të izoluara apo “kanarina në minierë”, një paralajmërim i hershëm për probleme më të thella.
“A po na tregojnë ato diçka më themelore për sektorin e financave private, aseteve private, kredisë private apo kapitalit privat, apo thjesht bëhet fjalë për raste të veçuara që ndodhin në çdo treg?” – pyeti ai. “Mendoj se kjo mbetet ende një pyetje e hapur; është një pyetje e hapur në SHBA,” shtoi Bailey.
“Nuk dua të tingëlloj tepër ogurzi, por arsyeja pse kjo pyetje është e rëndësishme është se, nëse kthehemi para krizës financiare, kur diskutohej për kreditë hipotekare sub-prime në SHBA, njerëzit na thoshin: ‘Jo, është shumë e vogël për t’u bërë problem sistemik; është rast i veçuar.’ Kjo doli të ishte një gjykim i gabuar.”
Kur ethet e huadhënies hipotekare në SHBA përfunduan me rënien e tregut të banesave në verën e vitit 2007, ato nxitën një valë trazirash financiare globale.
Bankat në të dy anët e Atlantikut kishin vënë bast me rrezik të lartë mbi miliarda dollarë kredi banesash amerikane, shpesh të financuara përmes borxheve afatshkurtra.
Kriza që pasoi, e cila zgjati për shumë muaj, përfundoi duke shkaktuar një recesion të thellë dhe një varg shpëtimesh të kushtueshme bankare në SHBA dhe Evropë – përfshirë RBS dhe Lloyds në Mbretërinë e Bashkuar.
Bailey tha se natyra e ndërlikuar e disa prej instrumenteve financiare që po përdoren sot në tregjet e kredisë private ka jehonë të asaj periudhe.