AKTUALITET, 15 Janar 2024, 13:26

Klinika dentare pa licencë, prindërit e 3-vjeçarit Brian Spahiu kërkojnë përjashtimin e prokurores që heton çështjen

Klinika dentare pa licencë, prindërit e 3-vjeçarit Brian Spahiu

Prindërit e Brianit, vogëlushit 3-vjeçar që humbi jetën pas ndërhyrjes në klinikën e “Splendent” të mjekut Roland Xhaxho, kërkojnë përjashtimin e prokurores së çështjes, Alma Felaj.

Ata argumentojnë se klinika dentare ka qenë e palicencuar deri një muaj pas vdekjes së djalit të tyre dhe se Prokuroria s’ka vepruar.

Gjatë një takimi që kanë pasur me drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës ditën e sotme (15 Janar), prindërit e 3-vjeçarit kanë paraqitur dokumentet ku pretendojnë se prokurorja Felaj s’ka vepruar, megjithëse klinika dentare ka qenë e palicensuar në momentin kur djali kreu ndërhyrjen tek dhëmbët.

Ata kanë paraqitur në Prokurori rezultatet e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor menjëherë pas ngjarjes, ku ka rezultuar se “Splendent” nuk ishte i pajisur me licencë për ushtrimin e aktivitetit në shërbime mjekësore dhe stomatologjike në kohën.

Në dokument thuhet se ndaj klinikës është vendosur masë administrative për shkelje të ligjit përkatës dhe se vajza e mjekut, Ina Xhaxho e ka ankimuar masën e cila është lënë sërish në fuqi.

Në dokumentet e siguruara nga News24, tregohet fakti se vajzës së Roland Xhaxhos, Ina Xhaxhos i është refuzuar marrja e licencës 6 herë dhe e ka marrë licencën vetëm 1 muaj pas ngjarjes tragjike, ku 3-vjeçari Brian Spahiu ndërroi jetë pas ndërhyrjes në klinikën dentare.

3-vjeçari kreu ndërhyrje në klinikën dentare në fund të muajit shtator 2023 dhe ndërroi jetë më 1 tetor, ndërsa në dokumentet vërtetohet se Ina Xhaxho e ka marrë licencën me 31 tetor 2023, një muaj më pas.

Në dokumentet tregohet një inspektim që është bërë nga Inspektoriati Shtetëtor Shëndetësor menjëherë pas ngjarjes, i cili ka rezultuar se subjekti në fjalë nuk ishte i pajisur me licencë për ushtrimin e aktivitetit në shërbime mjekësore dhe stomatologjike në kohën kur ka kryer ndërhyrjen.

Brian Spahiu, i gjeti vdekjen në reanimacionin e pediatrisë në QSUT më 1 tetor, 3 ditë pas ndërhyrjes në klinikën private, brenda ambienteve të spitalit privat të Zemrës në Tiranë.

Babë e bijë, Roland dhe Ina Xhaxho janë në hetim në gjendje të lirë nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale “Neglizhenca ne trajtim mjekësor”.