AKTUALITET, 15 Janar 2024, 11:45

Begaj dekreton Adea Pirdenin në krye të Ministrisë të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Begaj dekreton Adea Pirdenin në krye të Ministrisë të

Presidenti i Republikës Bajram Begaj me propozim të Kryeministrit dekretoi emërimin e Adea Pirdeni  në detyrën e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Adea Pirdeni  u emërua nga kryeministri Edi Rama pak ditë më parë, ku krijoi edhe ministrin e re.

Kujtojmë që Adea Pirdeni në tre vitet e fundit ka mbajtur pozicionin e zv.ministres së Drejtësisë dhe, siç shprehet Rama ajo ka spikatur me lidershipin e me profesionalizmin e saj në rolin e zv.kryenegociatores me Bashkimin Europian, si edhe në mbulimin e kapitullit madhor të Gjyqësorit e të Drejtave Themelore.

Adea Pirdeni është lindur në Tiranë më 1 tetor 1983. Ajo ka përfunduar studimet në drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, prej të cilit zotëron edhe një diplomë të studimeve Master në të Drejtë Publike.

Në vitin 2014 ka fituar titullin Magister Juris (MJur) me rezultate të shkëlqyera nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Oksfordit dhe prej vitit 2016 mban titullin “Doktor në Shkencat Juridike” nga Fakulteti i Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës. Ajo ka kryer vizita studimore në kuadër të programeve të shkëmbimit pranë Universitetit Humboldt Berlin (Gjermani) dhe pranë Universitetit të Kansasit (ShBA). Që prej vitit 2008, Znj. Pirdeni angazhohet si lektore me kohë të plotë pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në disiplinat e së Drejtës Kushtetuese, të Drejtës Kushtetuese të Avancuar, të Drejtës së BE dhe të Drejtës Administrative.

Fushat kryesore kërkimore të saj janë aspektet kushtetuese të mirëqeverisjes dhe të drejtave të njeriut, integrimi evropian, si dhe reforma në drejtësi, për hartimin dhe implementimin e së cilës ajo ka kontribuuar si Eksperte e Sekretariatit Teknik pranë Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë.

Në vazhdën e eksperiencave profesionale, Pirdeni ka shërbyer ndër vite si trajnere e jashtme pranë Shkollës së Magjistraturës, Shkollës së Avokatisë së Shqipërisë dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike.

Begaj dekreton Adea Pirdenin në krye të Ministrisë të