AKTUALITET, 31 Tetor 2025, 20:37

"Këta të tjerët i ke lënë në majë të pemës"/ Biznesmeni Gjergj Luca për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos: I pari që filloi vettingun në parti, një burrë i madh i historisë shqiptare

"Këta të tjerët i ke lënë në majë

Biznesmeni Gjergj Luca ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, përmes një videomesazhi të gjatë.

Luca e cilëson Nanon si personalitetin që nisi vettingun brenda PS-së dhe e përshkruan si një lider të zgjuar, duke vënë në dukje zgjedhjen e tij nga Ramiz Alia si një liberal dhe demokrat i aftë për të transformuar partinë. Sipas tij, Nano e bëri PS-në të dashur për njerëzit dhe ndryshoi rrënjësisht imazhin e saj.

Në mesazhin e tij, Luca nuk ngurron të thumbojë edhe rivalin historik të Nanos, kreun e PD-së Sali Berisha, duke e përshkruar si dikë që “ka bunkerizuar” Partinë Demokratike.

Me një nuancë humori dhe respekti, Luca i drejtohet Nanos “përtej”, duke i sugjeruar të krijojë një parti tjetër, ku ai vetë thotë se do të aderojë. Ai përfundon mesazhin duke shprehur ngushëllime për familjen dhe bashkëpunëtorët e ish-kryeministrit.

“Eh mor shoku Fatos...Për Zotin unë sot nuk du me kjajt, por du me të kujtu dhe njëherë se ku i le këta të tutë. E ke fillu i pari vettingun në parti dhe tashti ja ku i ke të gjithë në kazan, nuk e di Ulsiut a do t’i mbarojnë drutë duke hedh dru, duke i zi të gjithë. Ai Ramiz Alia paska qenë burri më i mençur i diktaturës komuniste sepse zgjodhi një liberal si ty, zgjodhi një burrë demokrat si ty, zgjodhi një burrë që donte të bukurën, që donte muzikën, që transformoi PS-në dhe e bëri të dashur për të gjithë njerëzit, pjesën e mirë të PS-së dhe e mori këtë mikun tim, këtë kryetarin e partisë sime dhe e vendosi te partia demokratike për ta bunkerizuar komplet partinë komuniste. Dhe këta të tjerët shoku Fatos ja ku i ke lënë shoku në majë të pemës, në majë të pikaloit dhe nuk e di a do zbresin ndonjëherë këta njerëz nga pema apo nuk do zbresin. A do zbresin ndonjëherë nga këmbët e oktapodit që i ka kapur apo jo?! Megjithatë ti ke për të mbetur burrë i madh i historisë shqiptare. Fatos Nano na bëj ndonjë parti atje se po shkon para nesh që kur të vijmë, unë këtë radhë kur të vij te vendi atje për Zotin do marr teserën tënde dhe nuk ngatërrohem me asnjë parti. I paharruar qoftë kujtimi juaj dhe ju njerëzit e tij të rroni e ta kujtoni këtë burrë të madh! Respekte!”, shprehet Luca.