TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një inspektor i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), pranë Drejtorisë Rajonale Kukës, është arrestuar në flagrancë pasi dyshohet se ka kanosur drejtorin rajonal të këtij institucioni për shkak të detyrës. Ngjarja lidhet me një aktkonstatimi të hartuar për një rast gërmimi të paligjshëm toke në fshatin Krenzë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës arrestuan shtetasin D. H., 46 vjeç, banues në Kukës, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të IKMT-së, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.
Sipas Policisë, arrestimi u bë pas kallëzimit të drejtuesit të Drejtorisë Rajonale të IKMT-së, shtetasit B. T., i cili deklaroi se ishte kanosur nga inspektori D. H. për shkak të një aktkonstatimi të vendosur për gërmimin e tokës në zonën e fshatit Krenzë. Gërmimi dyshohet se ishte kryer nga shtetasi M. L., 33 vjeç, banues në Kukës, kushëri i të arrestuarit.
Në vijim të veprimeve procedurale, Policia ka nisur procedim penal në gjendje të lirë edhe për shtetasin M. L., për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”, pasi kishte kryer gërmimin e dheut në mënyrë të kundërligjshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme ligjore.