AKTUALITET, 15 Tetor 2025, 22:18

“Kam dëshirë të jenë të gjithë liderët shqiptarë bashkë”/ Protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Gucati: Gjeneza jonë është në Tiranë

“Kam dëshirë të jenë të gjithë liderët

Drejtuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati iu bëri thirrje sot qytetarëve shqiptarë që të marrin pjesë në protestën gjithëkombëtare që do të mbahet në Tiranë më 17 shtator në orën 17:00 për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët e Kosovës.

Përmes një konference për mediet, Gucati tha se përgatitjet për këtë protestë kanë nisur që prej tre muajsh. Gucati u shpreh se protesta në Tiranë ka një arsye të veçantë pasi sipas tij gjeneza e UÇK-së është në Tiranë.

“Ne kemi bërë një protestë të vështirë më 7 gusht të këtij viti. Një protestë ka qenë edhe në Hagë të Holandës. Protesta ndërkombëtare në Tiranë ka një arsye të veçantë, sepse ne jemi një komb, një gjuhë, një kulturë, një flamur. Mendoj se gjeneza jonë, e UÇK-së është në Tiranë, në vitet ’90, dhe kjo është arsyeja pse ne donim që protesta ndërkombëtare të zhvillohej në Shqipëri”, tha Gucati.

“Kam dëshirë të jenë të gjithë liderët shqiptarë bashkë”, tha ai.

Gucati tha se Kosovës i “është imponuar që të ketë Gjykatën e Hagës”.

“Ne jemi prerë në besë nga ndërkombëtarët. Sot ajo gjykatë nuk ka akt akuzë për krime lufte që dyshohet se janë bërë, pa u bërë fare. Kjo gjykatë ngjason më shumë me Rusinë, Kinën, Kubën dhe Korenë dhe jo një gjykatë Evropiane”, tha Gucati.

Protesta paqësore është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 17 tetor, ora 17:00 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë me kërkesën për drejtësi ndaj ish-eprorëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Protestë e ngjashme u zhvillua edhe në Hagë më 14 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

Në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.