TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Motra e Nuredin Dumanit, personit të arrestuar për dhjetëra vrasje me pagesë në vend ditët e fundit, e cila rezultonte e pajisur edhe me certifikatë sigurie në dikasterin e diplomacisë, ka dhënë dorëheqje nga detyra e saj.
Lajmi vjen pak orë pasi Ministria e Jashtme reagoi me një sqarim pas raportimeve se motra e Dumanit, ishte punësuar në këtë dikaster dhe ishte pajisur me certifikatë sigurie.

Letra e plotë:
Të nderuar,
Prej së shtunës, 18 qershor 2022 jam bërë objekt i keqinformimi të opinionit publik nga disa media, mbi rrezikun që unë si individ paraqes për sigurinë kombëtare dhe institucionin që punoj prej pak muajsh si staf teknik.
Si rezultat i këtyre publikimeve të pavërteta, prej 48 orësh jam në rrezik për jetën dhe e ekspozuar publikisht, jo vetëm unë por edhe kolegë me të cilët punoj prej pak kohësh, e për të cilët do të ruaj vlerësimin tim maksimal.
E vërteta ime e vetme është përpjekja për të ndërtuar një jetë normale, larg profilit të vëllait tim, me dëshirën e një vajze 24-vjeçare, arsimuar me rezultate shumë të mira.
Për shkakun tim prej 48 orësh po akuzohet padrejtësisht edhe institucioni ku unë prej pak kohësh kam dhënë kontributin tim, në një detyrë tërësisht teknike, pa asnjë lidhje për sa pretendohet në media, për akses në dokumentacion të klasifikuar.
Jam baltosur në mënyrë të padrejtë e po vijoj të baltosem e të rrezikohen çdo orë e më shumë për shkak të publikimit të të dhënave të mia personale, fotografive, vendit të punës etj, duke ekspozuar seriozisht edhe persona të tjerë, “faji i vetëm” i të cilëve është ndarja e orëve të punës me mua.
Duke i kërkuar ndjesë institucionit që nuk i kam kryer asnjëherë, që për shkakun tim është sulmuar për ushtrim detyrash më lejoni të jap dorëheqjen e parevokueshme dhe të menjëhershme nga detyra.
Me respekt,
Xhuljana Dumani
***
Në një njoftim për mediat, MEPJ sqaroi dje se shtetasja me iniciale Xh.D. ishte përzgjedhur fillimisht për të kryer praktikën 3-mujore në ministri.
Pas përfundimit të praktikës, me motrën e Nuredin Dumanit është lidhur një kontratë 1-vjeçare pune.
“Emri i znj. Xh.D ka qenë pjesë e listës që kanë aplikuar për këtë program sjellë në MEPJ nga Ministria e Arsimit. Pas marrjes së listës, ngrihet një komision që bën përzgjedhjen e studentëve, bazuar në metodologjinë e përcaktuar në VKM përkatëse dhe më tej, bazuar tek buxheti dhe kërkesat e drejtorive përkatëse të MEPJ, përzgjidhen një numer i caktuar studentësh, për të cilët lidhen kontratat e punës me afat të caktuar 1 vjeçar. Emrat e praktikantëve sugjerohen nga drejtoritë përkatëse ku ata kanë kryer praktikat e punës. Pra, znj. Xh.D ka hyrë në MEPJ si pjesë e një programi, ku përzgjedhja bazohet vetëm në rezultatet e studentëve dhe që synon krijimin e hapësirave për studentët më të mirë në administratën publike
Znj. Xh.D e ka kryer praktikën në gusht 2021 dhe në perfundim të praktikës, për shkak të vlerësimit të performancës së saj nga drejtoria, është lidhur kontrata e punës me afat të paracaktuar 1 vjecar deri ne 31.12.2022, si specialiste në Drejtorinë e Shërbimeve të Brendshme, Sektori i Shërbimeve. Znj. Xh.D nuk ka qenë për asnjë moment e punësuar në Kabinetin e MEPJ. Për punësimin e znj. Xh.D është kërkuar sipas ligjit, dëshmia e penalitetit nga autoritetet përkatëse e cila ka rezultuar e pastër. Në përputhje me ligjin, ashtu si për çdo punonjës tjetër të MEPJ, edhe për znj. Xh.D është kërkuar certifikata e sigurisë nga DSIK. Kjo certifikatë është, pas dëshmisë së penalitetit, një tjetër filtër nëpër të cilin kalon çdo punonjës i MEPJ” – thuhej në sqarimin e ministrisë.