AKTUALITET, 4 Mars 2023, 18:32

Ishte në sallën e gjyqit për vulën e PD-së, Bylykbashi zbulon detaje nga mbledhja në Gjykatën e Apelit: Presioni ishte i lartë

Ishte në sallën e gjyqit për vulën e PD-së, Bylykbashi
Oerd Bylykbashi

“Edi Ramës nuk i duhen zgjedhje të lira e të ndershme, por kapja e pushtetit”,-u shpreh Oerd  Bylykbashi, duke folur për seancën e djeshme në Gjykatën e Apelit, ku ishte bashkë me kolegë të tjerë. Ai u shpreh për News 24 se në sallë ndihej tensioni dhe po ashtu presioni, duke shtuar se pas vendimit sipas tij është qartazi që qëndron kryeministri Edi Rama.

Pjesë nga biseda në studio:

Çfarë ndodhi në sallën e gjyqit?

Bylykbashi: Kur je në një proces të një lloji të tillë tensioni është i madh po ashtu dhe presoni. Por kjo çështje ia kalon edhe çështjeve që prodhuan Lulzim Bashën kryetar. Por kjo ishte shumë më e madhe sepse për herë të parë në 32 vite, partia e dytë me e madhe më numër votash, nuk është vetëm fakti që është PD në atë çështje, por si të mos lihet PD të zgjidhet. Kemi gati një vit që është marrë vendimi. A mund ta mbajë Basha e Alibeaj të varur gjykatën? Jo sepse nuk kanë këllqe. Këtë mund ta bëjë vetëm Edi Rama. Në këtë aspekt e vetmja gjë që mund të prodhonte këtë zvarritje ishte presioni i Ramës. Zgjedhjet janë tani, por me datë 6 mars është afati.

A prisni rikthim të Bashës në skenën politike?

Bylykbashi: Basha e bën llogarinë me kredon e tij, me kriteret  e tij morale, por Basha ka dhënë dorëheqjen dhe ky është fakt i njohur dhe revokimi nuk ekziston. Pra është thënë që e kemi zëvendësuar, është Alibeaj. Ndryshe nga Basha diferenca është se Berisha u zgjodh, pra duhet të zgjidhesh në bazë të statutit. Vendimi nuk është përfundimtar. Ne do t’i bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë. Do të kërkojmë drejtësi edhe pse e dimë çfarë ka prodhuar reforma në drejtësi. Në këtë çështje e çojmë në Strasburg, pro duhet kuptuar se gjykata ka rolin e mbajtjes shënim dhe regjistrimit në regjistër. S’mund të mbahet peng një parti politike me një vendim gjykate.