TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Është arrestuar në Turqi Ibrahim Lici, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Endri Mustafës.
Policia turke ka rënë në gjurmët e tij duke ndjekur një person të besuar të tij që udhëtoi nga Shqipëria për ta takuar.
Ibrahim Lici ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, prej muajit maj të vitit të 2021 pas ekzekutimit me armë zjarri të Endri Mustafës.
Ai u largua drejt shtetit turk që prej vitit 2021 dhe fshihej atje prej asaj kohe.
Ibrahim Lici akuzohet si i përfshirë në të paktën tri vrasje në qytetin e Shkodrës, përfshirë edhe vëllezërit Bilali, ngjarje e ndodhur më 30 maj të vitit 2019.
Në atë kohë, vrasja u cilësua se erdhi për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale në qytetin verior. Ibrahim Lici është djali i Mustafa Licit, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës
Njoftimi i policisë:
Bashkëpunim intensiv me partnerët, për kapjen e shtetasve të shumëkërkuar. Si rezultat i inteligjencës policore të siguruar nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe nga struktura të tjera të specializuara të Policisë së Shtetit, si dhe i shkëmbimit në kohë reale të informacionit me autoritetet policore turke, finalizohet operacioni policor i koduar “Jehona”.
Operacioni, nga Policia e Turqisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në koordinimin e Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në drejtimin e SPAK.
Kapet në Turqi dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin, një 31-vjeçar i shumëkërkuar për vrasje. Strukturat vendore të Policisë Shkodër, si rezultat i punës së pandërprerë për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë siguruar informacion se shtetasi i shumëkërkuar I. L. fshihej në Turqi. Më tej, struktura të specializuara të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (Interpol Tirana) e kanë shkëmbyer menjëherë këtë informacion dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet policore të Turqisë, për kapjen e këtij shtetasi.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit në kohë reale, ndjekjes dhe koordinimit të veprimeve, Policia turke ka finalizuar operacionin policor të koduar “Jehona”, gjatë të cilit është kapur dhe vënë në pranga shtetasi i shumëkërkuar I. L., 31 vjeç. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2021, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin E. M. Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, vijon punën për ekstradimin e të shumëkërkuarit, drejt Shqipërisë.
SI U EKZEKUTUA 31-VJEÇARI ENDRI MUSTAFA
Endri Mustafa u ekzekutua në mënyrë makabre në mes të muajit maj të vitit 2021. Mustafa, baba i tre fëmijëve, u gjet në afërsi të bregut të liqenit të Shkodrës, në një vend i njohur si zona e Livadheve. Ai ishte vrarë me 6 plumba, njëri prej të cilëve në pjesën e gojës, dy të tjerë në kokë dhe 3 në gjoks. Nga këqyrja e trupit dyshohet se fillimisht ai është dhunuar dhe më pas është qëlluar me armë zjarri. Trupi i pajetë u gjet tri ditë pas denoncimit të zhdukjes në mënyrë të mistershme të 31-vjeçarit.
Ndërsa organet e hetimit akuzojnë si autor të dyshuar të vrasjes Ibrahim Licin, bashkëshortja e viktimës tha një vit më parë se me këtë familje kishin marrëdhënie të mira dhe se nuk ishin ata që e kishin kryer vrasjen. Prapa hekurave për ngjarjen është Ergys Malja, 16-vjeç, i cili dyshohet se e çoi viktimën në vendin e ngjarjes.
Nga hetimet e Prokurorisë, rezulton se Malja ka qenë ai që ka çuar Endri Mustafën në zonën e quajtur Livadhe, duke pretenduar se atje kishte mbjellë rreth 150 rrënjë kanabis. Në këtë zonë, ka ndodhur edhe vrasja e tij dhe sipas dëshmisë paraprake, Lici ka ardhur me motor dhe e ka qëlluar për vdekje me armë zjarri. Atë natë, adoleshenti ka shkuar në shtëpi dhe vetëm të nesërmen, ka çuar Policinë në vendin ku ishte fshehur trupi i pajetë.
“Më 15 maj, solla në banesë një qengj të blerë në Postribë pasi ma kërkoi Endri Mustafa, i cili më dha fillimisht 40 mijë lekë të vjetra dhe më pas, rreth orës 19:00 më dha edhe 70 mijë lekë të tjera.
Atë ditë kemi biseduar për punë hashashi, pasi i thashë se kisha mbjellë 150 rrënjë hashash ‘3-muajsh’ në Livadhe me dy shokë dhe doja t’i merrja. Endri më tha se do të më ndihmonte që t’i merrja t’i çonim në shtëpi për t’i tharë.
Pas kësaj bisede, u nisëm për në shtëpi. Rreth orës 22:00, u nismë për në Libvadhe, pasi u takuam te shtëpia e Endrit, u nisëm në këmbë, duke kaluar rrugën e ‘Bypass’-it dhe u kthyem djathtas për të dalë në vendin e quajtur ‘Gropa e ekskavatorit’, ku kisha hashashin.
Aty na doli përpara Ibrahim Lici me armë në dorë, duke qëlluar direkt mbi Endrin. Ai u shtri në tokë, duke i thënë: ‘aman mos më vrit pasha Zotin se kam fëmijë’. Ai e ka qëlluar përsëri edhe në fytyrë, duke i thënë ‘qofsh i xhenetit’. Pas kësaj, Ibrahim Lici është larguar me motor nga vendi i ngjarjes”, ka dëshmuar ai.