AKTUALITET, 14 Shkurt 2024, 22:36

Vizita e Blinken në Tiranë, Rama: Tregon se Shqipëria ka arritur në një tjetër nivel

Vizita e Blinken në Tiranë, Rama: Tregon se Shqipëria ka arritur

Kryeministri Edi Rama ka thënë se vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinkenit ka të bëjë edhe me rolin e Shqipërisë në Ballkan si një vend me dorën e shtrirë të miqësisë për të gjithë fqinjët. Këtë koment Rama e bëri në një intervistë për emisionin “Context” në ATV, në Kosovë. Vizita e Blinkenit në Shqipëri vjen në kuadër të një udhëtimi dyditor, që përfshin edhe ndalesën në Gjermani, ku ai do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, së bashku me zv.presidenten amerikane Kamala Harris, e cila do të mbajë fjalimin kryesor.

“Në fund të fundit, Shqipëria nuk është as një vend i madh, as një fuqi ushtarake. Por, më sa duket është vend i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, për faktin se në këtë kohë kaq të trazuar dhe me kaq shumë ngarkesë për sekretarin e shtetit dhe angazhimin e SHBA-së në botë ai e sheh të nevojshëm dhe e gjen kohën për të ndaluar në Shqipëri, patjetër që nuk është pak”, tha Rama.

Rama e lidhi vizitën e Blinkenit edhe me politikën e jashtme dhe angazhimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Vizita do të thotë se Shqipëria është ngjitur një tjetër nivel në aspektin e pozicionimit dhe prezantimit të saj ndërkombëtar, falë edhe një sërë hapash shumë të rëndësishëm që kemi bërë në politikën tonë të jashtme dhe falë një sërë angazhimesh të paimagjinueshme të Shqipërisë në tryezat më të rëndësishme të politikës ndërkombëtare”, tha Rama.

Vizita e Blinken është e gjashta e një sekretari amerikan deri më tani në Shqipëri, dhe e para prej vitit 2016, kur Tirana u vizitua nga ish-sekretari John Kerry.