AKTUALITET, 14 Dhjetor 2022, 15:10

I vendosi për herë të parë ish-ministri Tahiri, Çuçi premton rikthimin e kamerave të trupit në Policinë e Shtetit

I vendosi për herë të parë ish-ministri Tahiri,
Foto ilustruese

Policia e Shtetit do të rikthejë kamerat e trupit për patrullat e policisë, gjatë shërbimit. Lajmi është bërë i ditur sot nga Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, gjatë fjalës në konferencën përmbyllëse të projektit “Forcimi i Policimit në Komunitet” të financuar nga qeveria suedeze.

“Pavarësisht këtyre arritjeve me ndihmën edhe të programit suedez, ne jemi në një përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar punën e policisë, rritjen cilësore të shërbimit që ajo i ofron publikut, një zbatim tërësor të filozofisë së policimit në komunitet. Në objektivat tona është shtrirja e përdorimit të kamerave të trupit për punonjësit e patrullave të policisë. Kjo do të rrisë më tej transparencën në punën tonë gjatë kontakteve me publikun, rritjen e cilësisë së shërbimit dhe evidentimin e rasteve të mundshme të abuzimeve. Dëshirojmë t’i japim një zhvillim të mëtejshëm Komisariatit Dixhital, si një formë që ka rezultuar e suksesshme për raportimin e shkeljeve nga qytetarët”-tha Bledi Çuçi.

Kamerat e trupit u vunë në përdorim për herë të parë rreth 8 vite të shkuara, kur ishte ministër i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ato shërbyen në shumë raste për rritjen e transparencës së punës së policisë. Më pas ato u hoqën nga përdorimi, por ekspertët thanë se mungesa e tyre la në errësirë shumë ngjarje të rënda ku efektivët e policisë akuzoheshin për tejkalim kompetencash dhe përdorim dhune dhe marrje rryshfeti.