AKTUALITET, 27 Mars 2023, 21:40

Sulmi ndaj “Top Channel”, Abilekaj: U kalua vija e kuqe, gjetja e autorëve është prioriteti i vetëm i qeverisë

Sulmi ndaj “Top Channel”, Abilekaj: U kalua vija e kuqe, gjetja e

Për analistin Enton Abilekaj, goditja me armë e ndërtesës së televizionit “Top Channel”, ku mbeti i vrarë një roje 61-vjeçar, është një ngjarje shumë e rëndë, sepse është kaluar vija e kuqe në sjelljen ndaj mediave.

Abilekaj tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se nëse qeveria që do që të garantojë një vend normal, me media normale dhe me informim të drejtë, gjetja e autorëve të kësaj ngjarjeje është prioriteti i vetëm.

“Ajo që kam konstatuar unë, nga bisedat me kolegët që punojnë aty, është frika dhe paniku që kanë. Kjo e bën këtë ngjarje shumë të rëndë. Sepse flasim për goditjen e një institucioni mediatik, televizioni kombëtar, një nga mediat më të rëndësishme, që goditet me armë, duke kaluar vijën e kuqe të të gjitha kohërave në sjelljen ndaj mediave.

Ajo që ndodhi më 3 mars 1997 ndodhi sapo u shpall gjendja e jashtëzakonshme dhe një luftë e hapur mes qeverisë dhe medias dhe forcat paramilitare të presidentit të kohës, Berisha, që erdhën aty dhe dogjën redaksinë.

Pra ky kufi ka qenë i shenjtë dhe kjo ngjarje është alarm i madh për lirinë e medias, për jetën e çdo gazetari në Shqipëri, që sot ndihen të ekspozuar ndaj çdo faktori kriminal. Pra kjo është një ngjarje shumë e rëndë.

Nëse ka vërtetë një qeveri që do që të garantojë një vend normal, me media normale, me informim të drejtë, gjetja e autorëve të kësaj ngjarjeje është prioriteti i vetëm.

Ne kemi patur disa raste kur gazetarët janë goditur në krye të detyrës dhe nuk është marrë asnjë masë ndaj autorëve”-deklaroi Abilekaj.